E Enjte, 5 Nëntor 2026

Peleshi: Shqipëria, rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Dy projektligjet “Për miratimin e Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2024- 2033” dhe “Për miratimin e Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë”, janë derivate që i përgjigjen Strategjisë së Sigurisë Kombëtare.

Kështu u shpreh sot, në Kuvend ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, gjatë prezantimit të dy projektligjeve, ku theksoi se, përmes këtyre dy dokumenteve do të bëhet një ridimensionim i sektorit për zhvillim afatgjatë në disa drejtime, që i përgjigjen kushteve të një vendi që është anëtar në NATO dhe kandidat në BE.

“Në kushtet e një mjedisi të trazuar Shqipëria mbetet një vend i rëndësishëm dhe i angazhuar plotësisht në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë”, tha Peleshi.

Ai vuri në dukje se, agresioni rus ndaj Ukrainës ka ridimensionuar ndikimet në botë në sferën ekonomike, politike e sociale me impakte të paparashikuara për rajonin tonë.

“Shqipëria përballet me një sërë rreziqesh dhe kërcënimesh të mundësuara nga teknologjia. Mjedisi i sigurisë përballet me tre kërcënime: ai i Rusisë, terorrizmi dhe kërcënimet në hapësirën kibernetike. Strategjia ushtarake e vë theksin kryesor mbi qëndrueshmërinë. Përmbushja e buxhetit për ushtrinë me 2.03% të PBB dhe kanalizimi 20% e këtij buxheti për pajime e mjete për ushtrinë, është sipas treguesve të kërkuar. Ky fakt vjen si angazhim i qeverisë për përmbushjen e nevoja që paraqiten sot në mjedisin e sigurisë si dhe detyrimit ndaj NATO-s dhe gjen mishërim në këto dy dokumente”, u shpreh Peleshi.

Ministri tha se, “sot pagat e ushtarakëve janë mesatarisht 60% më të larta, që ka ndikuar në rritjen e ritmit të rekrutimeve të reja në Forcat e Armatosura, një sfidë jo vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por për gjithë hapësirën e NATO-s”.

“Strategjia Ushtarake është një dokument thelbësor për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, e cila përcakton drejtimet e zhvillimit dhe përdorimit të Forcave të Armatosura, duke synuar përmirësimin e mbrojtjes së vendit dhe përmbushjen e angazhimeve tona ndërkombëtare”, nënvizoi ai.

Gjatë fjalës së tij, Peleshi solli në vëmendje risitë në Strategjinë Ushtarake.

Sipas tij, zhvillimi i industrisë ushtarake, synon të forcojë kapacitetet prodhuese të Shqipërisë në sektorin e mbrojtjes, duke krijuar mundësi për prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake brenda vendit.

“Kjo nismë, jo vetëm që do të forcojë pavarësinë ushtarake të vendit tonë, por gjithashtu, do të krijojë vende të reja pune dhe nxisë rritjen ekonomike të vendit, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë”, tha ai.

E dyta, vijoi ministri, lidhet me përmirësimin e kapaciteteve kibernetike, si një element kyç i kësaj strategjie dhe së treti, Qëndrueshmëria Kombëtare.

“Në frymën e Artikullit 3 të Traktatit të Uashingtonit, dhe pa u zgjatur shumë, kjo do të thotë “përgatitja dhe aftësia gjithështetërore” për të përballuar ose për t’u rikuperuar shpejt, si vend, nga çdo skenar, vështirësi apo konflikt, deri në aktivizimin e Art.5, nëse lind nevoja”, theksoi Peleshi.

Ministri tha se, sa i përket Planit Afatgjatë të Zhvillimit është dokumenti që zbërthen dhe zhvillon në terma të masave konkrete ambicien e përcaktuar në Strategjinë Ushtarake. Plani thekson rëndësinë e rritjes së kapaciteteve mbrojtëse përmes fuqizimit të burimeve njerëzorë dhe arsimimit, duke modernizuar dhe zhvilluar sistemet kundërajrore, C-UAS, flotën ajrore, si dhe ato të komunikimit dhe të kapaciteteve të dislokueshme të mbrojtjes kibernetike, kapaciteteve të inteligjencës dhe sigurisë, si dhe zhvillimin e kapaciteteve kundërtanke dhe xhenios luftuese.

“Ne besojmë se miratimi i këtij plani do të sigurojë një udhërrëfyes të qartë për zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura. Kjo do të krijojë një Forcë të Armatosur të aftë e të gatshme për të përballuar sfidat e sigurisë të shekullit XXI, duke siguruar një mbrojtje efektive të sovranitetit kombëtar dhe një kontribut të rëndësishëm në sigurinë kolektive të NATO-s”, theksoi Peleshi.

Objektivat kryesore të Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë 2024-2033 do të jenë: Ngritja e Kapaciteteve të Mbrojtjes Kundërajrore me Bazë në Tokë dhe kapaciteteve operacionale të sistemeve stacionare dhe të lëvizshme për zbulimin dhe neutralizimin e objekteve fluturues pa pilot (C-UAS) për mbrojtjen e popullsisë, infrastrukturës kritike dhe instalimeve ushtarake të vendit; Përmirësimi i kapaciteteve ushtarake; Mbrojtja kibernetike; Forcimi i mbrojtjes kibernetike është esencial për të siguruar Sistemet e Komunikimit dhe Informacionit (SKI) nga kërcënimet e reja kibernetike; Burimet e mbrojtjes; Sigurimi i një buxheti të qëndrueshëm mbrojtës, të paktën në nivelin e 2% të PBB-së, është kritik për të mbështetur forcat dhe kapacitetet tona ushtarake dhe bashkëpunimi ndërkombëtar; Thellimi i bashkëpunimit me NATO-n dhe partnerët strategjikë do të intensifikohet, duke përfshirë arsimin, trajnimin dhe stërvitjen e përbashkët, si dhe pjesëmarrjen në operacionet e përbashkëta ushtarake.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›