E Shtunë, 31 Tetor 2026

Penalltia lumturon Partizanin dhe e con ne krye

Një gol i realizuar nga pika e bardhë në limitin e kohës së rregullt nga anësori i Partizanit, Gjergji Muzaka, i dha tri pikë të pamenduara nga trajneri Hasan Lika, ashtu sic po përfundonte takimi, që deri në minutën e 89-të ishte i mbërthyer në rezultatin 1-1. Partizani me fitoren 2-1 kundër Kastriotit në ndeshjen hapëse të javës së 15-të të Kategorisë Superiore, përkohësisht ndodhet në vendin e parë me 29 pikë, një më shumë se Dinamo, që do të luajë të shtunën në kryeqytet kundër Teutës.
ASNJË VONESË – Edhe pse shoqata e gjyqtarëve kishte paralajmëruar se do gjyqtarët do të dilnin me dhjetë minuta vonesë në shenjë proteste, treshja a "xhaketave të zeza", të kryesuar nga Lorenc Jemini (ndihmës të tij ishin Mali e Petrushi) e nisi takimin në orën 14:00 në stadiumin "Qemal Stafa".
BAKAJ (1-0) – Lojtari më i ri i Kombëtares shqiptare (luajti disa minuta në Bukuresht kundër Rumanisë në humbjen e thellë 6-1), Elis Bakaj po shndërrohet në futbollistin më të rendësishëm të "demave të kuq". Mesfushori sulmues goditi fuqishëm në minutën e 9-të takimit, topi u përplas te portieri i Kastriotit dhe i devijuar nga shkodrani, mbërriti te Julian Brahja, i cili për pak mund të shkaktonte autogol. Paulin Dhembi provoi një minutë më pas me një predhë në gjysmëlartësie, por sfera kaloi pak mbi kuadratin e portës. Sulmuesi Enco Malindi gjuajti fuqishëm me kokë në të 30', por topi u devijua në goditje kendi. Dy minuta më pas erdhi edhe goli i Elis Bakajt. Blendi Shkëmbi ekzekutoi mjeshtërisht një goditje të lirë dhe Bakaj me zgjuarsi dhe me një goditje të embël befasoi portierin Mustafa, i cili u habit kur pa topin në rrjetë. Për Bakajn ky ishte edhe goli i gjashtë sezonal
RIZVANOLLI (1-1) – Ish-sulmuesi i Partizanit, Erion Rizvanolli, dështoi në tentativën e parë në minutën e 25-të, kur preferoi të gjuante në formën e një roveshate, në vend të një gjuajtje më të thjeshtë, duke humbur kështu edhe një mundësi të shkëlqyer për formacionin e Vasil Bicit. 26-vjecari Rizvanolli, i cili më par ka luajtur edhe me Tiranën, Dinamon e Shkumbinin, por edhe edhe me eksperiencë jashtë Shqipërisë, mahniti shikuesit e paktë në impiantin ndërkombëtar kur barazoi në minutën e 59-të me një eurogol, duke vendosur edhe ekulibrat në fushë.
MUZAKA (2-1) – Sulmuesi i ri i Partizanit, Enco Malindi humbi një rast të pafalshëm kur vetëm 3-4 metra larg portës gjuajti jashtë, pas së cilës edhe trajneri Hasan Lika edhe e zëvendësoi duke hedhur në fushë lushnjarin Viktor Gjyla. Momentet e mira të Partizani nuk prodhuan golin, dhe në fushë Lika hedh sulmuesin Abilialiaj (jo në kondicion të mirë fizik) për mesfushorin Shkëmbi. Minutat kaluan shpejt, nervozimi i Partizanit u rrit, ndërkohë që Kastrioti i frikësuar është i tëri në 30 metërshin e fundit të fushës së tij. Pikërisht në fundin e takimit, mesfushori sumues Gjergji Muzaka hodhi topin drejt zonës së rreptësisë dhe Dhembi në duel shpejtësie me Cacën e Kastriotit u frenua, duke fituar edhe 11-metërshin e artë nga gjyqtari Lorenc Jemini. Dhembi e Caca marrin ndihmën mjekësore, ndërkohë që Muzaka u përgatit për të goditur nga pika e bardhë në minutën e 89-të. Një gjuajtje perfekte e 23-vjecarit në trekendësh dhe Partizani shënoi golin e fitores së tetë sezonale dhe të kapjes së përkohshme të kreut.
STATISTIKA - "Në fund të fundit, është Partizani", ishte shprehur trajneri i Kastriotit, Vasil Bici, përpara takimit. "Partizani e meritoi fitoren, por barazimi do të ishte rezultati më i drejtë", - deklaroi trajneri lezhjan pas përfundimit të ndeshjes së 14-të historike midis dy ekipeve. Partizani arriti kështu fitoren e 10 ndaj krutanëeve, që kanë në bilancin e tyre vetëm 1 të tillë (3 barazime), ndërkohë që golaverazhi shkoi në 30-10, gjithmonë për të "kuqtë".
Partizani-Kastrioti 2-1
Shenues: Bakaj 32, Muzaka 89 (11-m)/ Rizvanolli 59'
14.12.2007, ora 14:00
Stadiumi Kombëtar "Qemal Stafa", Tiranë
Gjyqtarë: Jemini, Mali-Pjertrushi
Bilanci ndërmjet tyre i azhurnuar: 14 ndeshje, 10 fitore Partizani, 3 barazime, 1 fitore Kastrioti. Golat 30-10

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›