Pensionet ushtarake, Kushtetuesja lë në fuqi ligjin
Hiqen kufizimet për masën e pensionit
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ushtarakëve dhe policëve për shfuqizimin e ligjit për pensionet suplementare, por një pjesë e tyre kanë mundur të përfitojnë nga vendimi. Edhe pse kërkesa bazë e ushtarakëve, rillogaritja e pensioneve suplementare, është rrëzuar, duke u lënë në fuqi ligji i qeverisë, dy grupe të tjera ushtarakësh kanë përfituar përmirësim të pensionit të tyre. Në bazë të vendimit të zbardhur dje nga Gjykata Kushtetuese, është pranuar shfuqizimi vetëm i pikës 2 të nenit 14 dhe neni 27 i ligjit të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë. Sipas shoqatave që kanë kundërshtuar këtë ligj, pika 2 e nenit 14 vendos një kufizim në masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, duke u vendosur një tavan maksimal, ndërsa neni 27 u mohon të drejtën e pensionit për vjetërsi shërbimi dhe kontributet e tyre në shërbimin ushtarak, të gjithë atyre ushtarakëve që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim. Këto nene janë konsideruar si antikushtetuese nga Gjykata.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur dje vendimin, i cili pranon vetëm një pjesë të kërkesave të ish-ushtarakëve lidhur me përfitimin e pensioneve suplementare të tyre. Pas kërkesës së bërë nga Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë, Avokati i Popullit, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit dhe shoqata Organizata e Punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim, Kushtetuesja ka marrë në shqyrtim ligjin ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë". Fillimisht ajo ka rrëzuar kërkesën e pretenduesve për pezullimin e këtij ligji dhe më pas ka nisur shqyrtimin e tij. Ish-ushtarakët e kanë konsideruar ligjin si antikushtetues, pasi bën një rregullim të ndryshëm dhe përkeqësues nga ligjet e mëparshme. Sipas tyre, ligji cenon parimin e barazisë përpara ligjit dhe parimin e sigurisë juridike. Përfaqësuesit e subjekteve të interesuara Këshilli i Ministrave, Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës kërkuan rrëzimin e kërkesave. Gjatë shqyrtimit të këtyre pretendimeve Gjykata arriti në përfundimin se me rregullimin e ri të bërë nga pika 2 e nenit 14 vendoset një kufizim në masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, duke u vendosur një tavan maksimal. Sipas saj, vendosja e këtij kufizimi sjell si pasojë uljen e masës së pensionit të parakohshëm për një kategori përfituesish. Nisur nga funksioni dhe rëndësia e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, zvogëlimi i masës së tij ose kufizimi nga neni 14/ 2 e ligjit objekt gjykimi të shumës maksimale që mund të përfitohet, nuk janë veprime që mund të përligjen me interesin e rëndësishëm publik. Për këtë arsye gjykata çmon se dispozitat e nenit 14/2 të ligjit objekt gjykimi janë në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike dhe të shtetit të së drejtës, - thuhet në vendimin e gjykatës. Për sa i përket rregullimit që sjell neni 27 i ligjit objekt gjykimi, pra përjashtimi nga përfitimet i ushtarakëve që janë nxjerrë në lirim për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor, të formës së prerë me burgim, për krime të kryera me dashje, gjykata vlerësoi se ky nen është i barabartë me një ridënim për të njëjtën vepër dhe për pasojë bie ndesh me dispozitën kushtetuese. Gjithashtu, gjykata vëren se zbatimi i kësaj dispozite sjell pasoja negative edhe për ata ushtarakë, të cilët pas vuajtjes së dënimit me burgim janë rehabilituar. Ndërsa mori në shqyrtim dhe pretendimet e tjera të kërkuesve ajo vendosi të pranonte rrëzimin vetëm të këtyre dy neneve.
Nenet e rrëzuara të ligjit
Neni 14, pika 2, ligji nr. 10142 datë 15.05.2009 i cili kufizon masën e pensionit të parakohshëm për personat që nuk kanë paguar kontribute suplementare në dyfishin e pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", dhe për personat që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më i madh se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 % të pagës referuese të muajit të fundit të punës.
Neni 27 i ligjit nr. 10142, datë 15,05,2009, i cili u mohon të drejtën e pensionit për vjetërsi shërbimi dhe kontributet e tij në shërbimin ushtarak, për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim.