E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pentagoni: Më shumë trupa nga SHBA-ja përgatiten për tu vendosur në Lindjen e Mesme

Një numër i paspecifikuar trupash në SHBA janë përgatitur për të vendosur nën urdhra, tha të hënën zëvendës sekretarja e shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh.

Singh tha gjithashtu se mbështetja shtesë e mbrojtjes ajrore që shkon në rajon, e njoftuar nga Pentagoni të dielën, janë njësi të planifikuara më parë për t’u vendosur që tani do t’u bashkohen njësive tashmë atje në vend që t’i zëvendësojnë ato.

Përforcimi i aftësive të mbështetjes ajrore, tha ajo, përfshin “një numër të caktuar njësish të dislokuara tashmë në rajonin e Lindjes së Mesme që do të shtrihen dhe forcat që do të shkojnë për t’i zëvendësuar ato tani do të shtojnë numrin e dislokimeve në rajon.” 

“Mund t’ju them se këto forca të shtuara përfshijnë avionë luftarakë F-16, F-15E, A-10, F-22 dhe personel të lidhur,” tha Singh.

Aeroplanët luftarakë pritej të zëvendësonin njësitet që tashmë janë të vendosura në Lindje të Mesme. Por tani ato që janë atje dhe njësitet e reja do të qëndrojnë së bashku për të dyfishuar fuqinë luftarake ajrore në këtë rajon.

Të dielën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin gjithashtu njoftoi se do të zgjasë përkohësisht qëndrimin e aeroplanmbajtëses amerikane “USS Abraham Lincoln” dhe njësiteve shoqëruese në rajon.

Aeroplanët nuk janë atje për të ndihmuar me evaukimet e mundshme, tha zëdhënësja Singh, por “janë atje për të mbrojtur forcat amerikane”.

Zhvillimet e fundit nga Libani dhe Izraeli

Izraeli i ka thënë SHBA-së se planifikon të nisë një ofensivë të kufizuar tokësore në Liban, sipas një zyrtari amerikan.

Zyrtari, duke folur për partnerin amerikan të BBC-së, CBS, tha se operacioni mund të nisë shumë shpejt.

Para kësaj, nënkryetari i Hezbollahut tha se grupi ishte gati për një ofensivë tokësore, të cilën Izraeli e ka lënë të kuptohet prej ditësh.

Në të njëjtën kohë, ministri i mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant u thotë trupave pranë kufirit libanez se janë të përgatitur të përdorin forcat “nga ajri, deti dhe toka”.

Në Liban, zyrtarët thonë se më shumë se 1,000 janë vrarë në dy javët e fundit, ndërsa deri në një milion njerëz tani mund të zhvendosen.

/rtsh.al/

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›