E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për krimin e jakave të bardha

Përdorimi i këtij termi nuk buron thjesht nga natyra libreske e të lexuarit të ngjarjeve, por nga përvoja e hidhur reale, e cila shkaktoi midis popullit shqiptar dhe klikës qeverisëse të Sali Berishës situata herë ulëritëse dhe herë të heshtura "në gjendjen e tyre kimikisht të pastër". Si e ka etiketuar që më 1943 krimin ekonomik dhe financiar kriminologu i njohur amerikan, Edwin Sutherland?
Prej disa vitesh rresht, në rrethet e juristëve dhe punonjësve të shtypit të vendit tonë është përmendur ndonjëherë edhe termi i mësipërm. Më së shumti për të ekspozuar bagazhin leksikor dhe më pak për të përkufizuar përgjegjësinë e klasës sonë politike në adresë të shpërblimeve, shpërdorimit të pushtetit, ryshfeteve, të praktikave ekonomike të pandershme, apo edhe pastrimit të parave. Gjithçka është thënë ashtu, si rastësisht dhe me zë të ulët, pa u thelluar seriozisht asnjëherë te rrugët e të luftuarit të kësaj dukurie të rrezikshme për fatet e zhvillimit demokratik, të forcimit të shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Gradualisht, një formë e tillë (figurative, sigurisht) e këtij lloji të veçantë të kriminalitetit nuk u shqiptua më, ndoshta sepse sa vinte e bëhej më shqetësues krimi i atyre që cilësoheshin "flokëpalarë" apo "zverkpalarë", që u përhap dhe demonstrohej kërcënueshëm çdo ditë, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij. Gjithashtu, vëmendja tërhiqej edhe nga krimi shtetëror në dëm të sigurisë së personit dhe ruajtjes së rendit publik, çka fatkeqësisht nxiti keqkuptimet brenda popullatës, duke u shoqëruar me trajtat e një lufte të të gjithëve kundër të gjithëve. Në këtë kuadër, korrupsioni po zgjerohej, por në dallim nga i pari, ai nuk po ndëshkohej. Fjala "korrupsion" u shndërrua në një klishe të thjeshtë dhe opinioni ynë u mësua me këtë realitet. Madje, në përgjithësi, vështirë të gjendej mes nesh ndokush që të shpresonte dhe të besonte, se ndonjëherë do të kapeshin në rrjetën e shtetit "peshqit e mëdhenj".
Megjithëse, qysh në fillim të viteve '90, kur gjithnjë e më tepër po shtoheshin edhe për shqiptarët mundësitë dhe kanalet e informimit, shumëkush e mësoi që mjaft vende të Europës u tronditën nga skandale korrupsioni në shkallë të gjerë, që vunë seriozisht në pikëpyetje stabilitetin e institucioneve demokratike dhe funksionimin e ekonomisë së tregut. Prandaj, organizmat ndërkombëtare dhe rajonale u vunë në pararojë për t'i dhënë luftës kundër korrupsionit një karakter ndërdisiplinor dhe për ta vënë atë mbi baza jo më rekomanduese, por plotësisht ligjore. Mjafton të përmendim këtu, se ishin Plan-Veprimi i miratuar nga samiti i Strasburgut më tetor 1997 dhe 20 Parimet udhëheqëse në këtë fushë, mbi të cilat u përpunua, krahas një sërë instrumentesh juridike ndërkombëtare obliguese për të gjitha Shtetet Anëtare të këtyre organizmave, edhe "Konventa Penale Europiane Kundër Korrupsionit", që u hap për nënshkrim më janar të 1999-ës. Dhe, Shqipëria, siç është treguar shpeshherë e gatshme ndër të parat shtete të vërë formalisht firmën mbi dokumente madhore të tilla, kështu veproi edhe në këtë rast, për të dhënë një shenjë të vullnetit të vet politik në luftën kundër korrupsionit. Sikurse nënshkroi pak më vonë edhe marrëveshjen GRECO, si për t'u paraqitur e gatshme që të marrë pjesë në atë që njihet si "Grupi i shteteve kundër Korrupsionit".
Por, ndërsa detyrimet ndërkombëtarisht të Shqipërisë në këtë lëmë, që vetë shteti ynë i merrte përsipër me një ngazëllim në dukje, sa vinte e shtoheshin pa ndërprerje, ky argument politik u përdor fuqishëm nga opozita e atëhershme në seancat plenare parlamentare të këtushme dhe në kancelaritë europo-atlantike, për ta marrë ajo pushtetin në vitin 2005, duke kafshuar pastaj gjuhën ndaj gjithçkaje që kishte deklaruar më parë dhe për të servirur brenda vendit haptazi 'de facto' dhe fshehurazi 'de jure' korrupsionin qeveritar në një platformë të drejtimit shtetëror dhe zhvillimit ekonomik. Ishin këto tetë vitet e fundit që shkaktuan midis popullit dhe klikës qeverisëse të Sali Berishës një situatë herë ulëritëse dhe herë të heshtur urrejtjeje "në gjendjen e tyre kimikisht të pastër".
Prandaj, nga më të shumtët nuk mund të mos pritej gremisja e kësaj qeverisjeje humnerës, në prag të së cilës po e çonte vendosmërisht popullin shqiptar dhe gjithë ekonominë bashkë me kulturën politike të tij. Nuk mund të mos pritej, njëherazi, që me votimin e 23 qershorit historik për të ardhmen e Shqipërisë opozita e majtë të mos fitonte fuqishëm, siç e ka cilësuar Ambasadori i SHBA në Tiranë, Arvizu, ndërrimin e pushtetit. Ndërkohë që ky cilësim nënkupton, gjithashtu, edhe një përgjegjësi të fuqishme të koalicionit fitues, për t'ia lënë së shkuarës deklaratat eufemike dhe, krahas reformimit të jetës institucionale të shtetit, të luftojë dhe zhbëjë praktikat e metodat korruptive të lëna si trashëgim, duke e bërë më së fundmi popullin shqiptar të marrë frymë lehtësisht tani dhe në të ardhmen e tij. Ndryshe, ai nuk do të gjente kurrë qetësi dhe vendi asnjëherë stabilitet, sepse ato praktika dhe metoda, pa u ndëshkuar rast pas rasti, penalisht dhe individualisht, rrezikojnë të përsëriten dhe të bëhen pengesë për zhvillimet e premtuara.
Në këtë vështrim, që në hapat e parë të qeverisjes së re, vëmendja e saj vlerësohet që të përqendrohet intensivisht te "zbërthimi" i krimit të jakave të bardha, një term ky që nuk ka pasur dhe nuk ka një karakter libresk. Përkundrazi, një përvojë të hidhur reale të shumë kohëve me radhë në plot e plot vende të botës, luftimi i së cilës, qoftë edhe në mënyrë jopërfundimtare, ka imponuar ndryshime të vazhdueshme në të mirë të njerëzimit. Ishte kriminologu i njohur amerikan, Edwin Sutherland ai që qysh në vitin 1943 e etiketoi në mënyrë figurative krimin ekonomik e financiar të kryer nga ndërmarrjet e mëdha si "White collar crime", duke nënvizuar atëherë dallimin që ekziston midis përmasave të këtyre praktikave me kosto shoqërore të lartë dhe mungesës së kuptimit shoqëror për rolin e tyre, që ndonjëherë gjeneron sanksione minimale. Përballë këtij mosdënimi, Sutherland shtronte pyetjen: "Krimi me jaka të bardha, a është krim?". Me gjithë praninë e dispozitave penale për ndëshkimin e veprimtarive që cenojnë konkurrencën, mashtrimin mbi mallrat, dhunën e së drejtës së shoqërive ekonomiko-tregtare dhe butësinë e reagimit shoqëror ndaj tyre, sipas tij shënonte një mohim penal sistematik. Kriminologu amerikan kujtohet, gjithashtu, si ndër të parët që theksoi se deri në çfarë pike është përherë problematik vlerësimi shoqëror i akteve të paligjshme që kryejnë mbajtësit e pushtetit.
Në atmosferën tonë aktuale, asgjë nuk mund të pengojë që gjendje të caktuara, të krahasueshme në mjaft drejtime, të përkufizohen me fjalën "korrupsion". Le të përmendim këtu çështjet e "Rrugës së Kombit", të "Gërdecit", të "Albpetrolit, "Armos", të trafiqeve ndërkombëtare të paligjshme të armatimeve nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes etj., etj. Të gjitha këto kanë mbetur deri tani dosje të mbyllura me justifikime të ndryshme: për mungesë provash, për produkte të shpifjeve, për dënime të rangjeve të ulëta të përgjegjësisë etj., etj. Mirëpo ajo që është vënë re fare qartë për secilën prej tyre është fakti që instancat publike përkatëse të vëna nën thundrën e Pushtetit Ekzekutiv i minimizuan ekstremisht efektet e dëmshme që u përcollën nëpërmjet fakteve të këtyre dosjeve. Tani është koha që transkriptimi i ngjarjeve që përmbajnë këto çështje dhe i autorëve të vërtetë që i kanë shkaktuar ato të mbështetet në disa tipare kryesore, si: seleksionimi i fakteve domethënëse dhe balancimi i tyre, duke u njohur rëndësinë e caktuar në funksion të paligjshmërisë, të viktimave, të dëmeve etj; hetimi dhe paditja nëpërmjet lidhjeve shkakësore, ku është angazhuar përgjegjësia e autorëve të përfolur mjaft deri më sot; dhënia ndaj tyre e dënimeve të përligjura etj., etj.
Sidoqofshin ato që pritet të ndodhin së shpejti, këto radhë u shkruan vetëm si një parathënie, për të kujtuar gjithashtu që mbështetja në këtë luftë e qeverisjes së re nga faktori ndërkombëtar është deklaruar mëse një herë dhe me plot gojën, veç të tjerash, mbi mundësitë e kapaciteteve tekno-logjike, mundësive të komunikimit dhe burimet e mëdha njerëzore që disponon ky faktor, te përvoja frytdhënëse e sagës së gjatë amerikane në luftën e një natyre të tillë dhe në neutralizimin e korrupsionit strukturor të deritashëm. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›