Përballja ligjore, Twitter rrëzon pretendimet e Musk: Histori e imagjinuar, kërkon t’i shpëtojë marrëveshjes

Në përballjen ligjore më 4 gusht, Twitter ka hedhur poshtë pretendimet e CEO-s së TESLA Elon Musk se ky i fundit kishte arsye legjitime për t’u tërhequr nga një marrëveshje prej 44 miliardë dollarësh për blerjen e platformës së mediave sociale.
Sipas The Guardian, Twitter i quajti argumentet e Musk për braktisjen e marrëveshjes “një histori, e imagjinuar në një përpjekje për t’i shpëtuar një marrëveshje bashkimi që Musk nuk e konsideronte më tërheqëse pasi tregu i aksioneve dhe së bashku me të, pasuria e tij masive personale, pësoi rënie.
Twitter e paditi Musk muajin e kaluar për ta detyruar atë të përfundojë marrëveshjen Kujtojmë se më 25 prill, Twitter pranoi propozimin e Musk për të blerë platformën për 44 miliardë dollarë. Por më 9 korrik, Musk hoqi dorë nga blerja e platformës pasi sipas tij kishte shkelje të shumta të marrëveshjes. Musk tha se ishte tërhequr sepse Twitter nuk arriti të jepte informacion të mjaftueshëm për numrin e llogarive të padëshiruara dhe false.
Ndërkohë Twitter disa ditë pas tërheqjes së Musk, më 13 korrik paditi në gjykatë miliarderin, duke kërkuar nga një gjykatë në Delaware që të urdhërojë Musk të përfundojë bashkimin me 54.20 dollarë për aksion të Twitter.
/rtsh.al/