E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përcjellim me shqetësim situatën e ditëve të fundit” – Dhoma Amerikane e Tregtisë: Institucionet të garantojnë sigurinë publike dhe mbrojtjen e pronës private

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar ditët e fundit, duke paralajmëruar se tensionet dhe pasiguria mund të dëmtojnë vijimësinë e bizneseve dhe të ndikojnë në besimin e investitorëve vendas e të huaj.

Dhoma Amerikane e Tregtise

Në një deklaratë për shtyp, AmCham thekson se situata aktuale i shtohet sfidave të vazhdueshme të mjedisit të biznesit në vend, si korrupsioni, monopolet, konkurrenca e pandershme, burokracia dhe informaliteti.

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, disa biznese janë përballur me dëmtime dhe ndërprerje të aktivitetit, ndërsa kanë shprehur shqetësimin për mungesën e mbrojtjes së nevojshme nga institucionet përgjegjëse.

“Sipas raportimeve që na janë përcjellë, shumë biznese janë përballur me dëmtime dhe ndërprerje të aktivitetit, ndërsa kanë shprehur ndjesinë se kanë mbetur pa mbrojtjen e nevojshme nga institucionet përgjegjëse. Pas çdo biznesi qëndrojnë punonjës dhe familje, të ardhurat dhe siguria e të cilëve varen nga vijimësia e punës.”, thekson Dhoma.

AmCham paralajmëron se pasiguria dhe paqëndrueshmëria e zgjatur mund të rrezikojnë vijimësinë e bizneseve, si dhe besimin e investitorëve vendas dhe të huaj, duke ndikuar negativisht në ekonominë e vendit.

“Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vazhdimësinë dhe ekzistencën e bizneseve, me pasoja afatgjata për ekonominë në tërësi. Është po aq shqetësuese që pasiguria lidhur me mbrojtjen e njerëzve dhe pronës mund të cenojë besimin e investitorëve vendas dhe të huaj, duke ndikuar në vendimet e tyre për investime në Shqipëri.“, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i Dhomës Amerikane e Tregtisë në Shqipëri

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri dëshiron të përcjellë shqetësimet serioze të anëtarëve për situatën e krijuar gjatë ditëve të fundit. Ky reagim buron nga përgjegjësia e Dhomës për t’i dhënë zë anëtarësisë së saj dhe për t’i sjellë problematikat e raportuara në vëmendjen e institucioneve dhe publikut.

Garantimi i sigurisë publike, mbrojtja e njerëzve dhe pronës private, respektimi i shtetit të së drejtës dhe parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm kërkojnë angazhim dhe veprime të koordinuara nga institucionet përkatëse. Të gjithë aktorët, kanë përgjegjësinë të veprojnë në mënyrë konstruktive, të refuzojnë dhunën dhe të kontribuojnë në krijimin e kushteve për një dialog kuptimplotë, përmes të cilit shqetësimet legjitime të mund të adresohen në përputhje me mekanizmat demokratikë.

Dhoma thekson gjithashtu se situata aktuale duhet parë në kontekstin më të gjerë të sfidave me të cilat përballet mjedisi i biznesit në Shqipëri. Prej vitesh, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive me institucionet publike, duke paraqitur rekomandime dhe propozuar ndryshime në projektligje, akte nënligjore dhe masa të tjera rregullatore që ndikojnë në komunitetin e biznesit. Pavarësisht këtyre përpjekjeve të vazhdueshme, shumë prej shqetësimeve dhe rekomandimeve të anëtarëve tanë nuk kanë marrë vëmendjen dhe konsideratën e duhur. Konsultimi efektiv me komunitetin e biznesit është thelbësor për hartimin e politikave të qëndrueshme, forcimin e besimit te institucionet dhe krijimin e një klime investimesh të parashikueshme dhe konkurruese.

Edicioni më i fundit i Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane, AmCham Business Index (ABI) 2025–2026, evidentoi gjithashtu sfidat me të cilat përballen bizneset, përfshirë korrupsionin, monopolet dhe konkurrencën e pandershme, burokracinë dhe informalitetin, krahas një rënieje të ndjeshme të perceptimit mbi klimën e biznesit.

Këtyre sfidave të vazhdueshme u shtohet sot edhe pasiguria e krijuar. Sipas raportimeve që na janë përcjellë, shumë biznese janë përballur me dëmtime dhe ndërprerje të aktivitetit, ndërsa kanë shprehur ndjesinë se kanë mbetur pa mbrojtjen e nevojshme nga institucionet përgjegjëse. Pas çdo biznesi qëndrojnë punonjës dhe familje, të ardhurat dhe siguria e të cilëve varen nga vijimësia e punës.

Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vazhdimësinë dhe ekzistencën e bizneseve, me pasoja afatgjata për ekonominë në tërësi. Është po aq shqetësuese që pasiguria lidhur me mbrojtjen e njerëzve dhe pronës mund të cenojë besimin e investitorëve vendas dhe të huaj, duke ndikuar në vendimet e tyre për investime në Shqipëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›