Përfaqësues të Ambasadës amerikane vizitojnë ambientet e reja të KosovaPress

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Përfaqësues nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë vizituan sot ambientet e reja të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, ku u pritën nga drejtuesit e institucionit.
Gjatë vizitës, ata u njohën nga afër me kapacitetet e reja profesionale dhe teknologjike që KosovaPress ka vënë në funksion pas vendosjes në këto hapësira, si dhe me zhvillimet që synojnë forcimin e mëtejshëm të standardeve editoriale dhe cilësisë së raportimit.
Drejtuesit e KosovaPress prezantuan para mysafirëve vizionin strategjik, projektet në zhvillim dhe planet e ardhshme të agjencisë, me fokus në modernizimin e shërbimeve informative, zgjerimin e platformave digjitale dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerë vendorë e ndërkombëtarë.
KosovaPress është agjencia e parë e lajmeve në Kosovë dhe një ndër mediat më të vjetra në vend, e themeluar më 4 janar 1999. Me një traditë të gjatë dhe rol të konsoliduar në hapësirën mediale, KosovaPress vazhdon të jetë një nga burimet më të besueshme në grumbullimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e përmbajtjeve informative për mediat vendore e ndërkombëtare, si dhe për klientët e saj.
KosovaPress, pas një lobimi disavjeçar, u anëtarësua me të drejta të plota në rrjetin e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE) në vitin 2017, ku dha kontribut të vazhdueshëm, organizoi Asamblenë e Përgjithshme dhe mbajti presidencën për vitin 2021–2022 si dhe anëtarësinë në bord, ndërsa në vitin 2022 u pranua zyrtarisht edhe në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), duke zgjeruar bashkëpunimin me agjencitë evropiane të lajmeve.
/KosovaPress//r.e/