Përfaqësues të Partisë së Lirisë, homazhe te Varrezat e Dëshmorëve

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/- Përfaqësues të Partisë së Lirisë zhvilluan sot homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në kryeqytet në 80-vjetorin e Çlirimit të vendit.
Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediet uroi shqiptarët për Ditën e Çlirimit.
Ai u shpreh se në nisje të ceremonisë kishte edhe një përpjekje nga Garda për ta ndaluar.
“Në nisje të ceremonisë patëm një përplasje me anëtarët e Gardës, që kishin marrë urdhër për të penguar përfaqësuesit e PL për të nderuar datën e shënuar, përpjekje kjo që tregon një tentativë të Ramës për të privatizuar edhe këtë datë historike e ndoshta për të dhënë me koncesion edhe Varrezat e Dëshmorëve. Megjithatë ne e kryem këtë ceremoni sepse askush nuk mund të na ndalojë të nderojmë gjakun e dëshmorëve”, tha Blushi.