Përfaqësuesi i OSBE, Kepi: Duhet bërë transparencë për përdorimin e kriptomonedhave

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” zhvilloi sot tryezën publike me temë” Parandalimi i pastrimit të parave dhe korrupsionit transnacional”.
Johans Kepi, këshilltar rinor për Prezencën e OSBE-së në Tiranë, drejtoi disa pyetje për luftën kundër korrupsionit.
Cili është plani për të rritur bashkëpunimin ndërinstitucional për luftën kundër korrupsionit në nivel lokal dhe rajonal? Cilat janë synimet specifike për përmirësimin e politikave për parandalimin e korrupsionit në sektorin publik, përfshirë edukimin e nëpunësve civilë.
Duke folur për kriptomonedhat, ai u shpreh se, duhet bërë më shumë transparencë.
“Jetojmë në një kohë dixhitale dhe besoj që duhet dhe një transparencë nga komisonet e kërkuara dhe të duhura për të bërë pjesën e kriptos jo shumë pjesë për pjesën e korrupsionit. Besoj që duhen ndërlidhur të dyja pjesët, për ta bërë një tranzicion sa më të pastër për pjesën e kriptove që e përdorin të rinjtë dhe për pjesën e bizneseve që e përdorin”, tha Kepi.
Pra, shtoi ai, “nuk është fjala që e përdorin gjithmonë për korrupsion kripton ka metoda plotë, por besoj se duhet bërë transparenca e duhur për të parë sesi ky fenomen i ri duhet kërkuar”.
/a.f/