Përfshihet nga zjarri fusha e mbetjeve, reagon Bashkia e Elbasanit

Pasditen e sotme në fushën e grumbullimit të mbetjeve në periferi të qytetin e Elbasanit, ka shpërthyer një vatër zjarri, në zonën e njohur si Landfilli pranë Inceneratorit.
Gazetari Enes Molla raporton për RTSH se zjarri po përhapet me shpejtësi në sipërfaqet me mbetje të ndryshme urbane dhe industriale.
“Flakët e mëdha shoqërohen me shtëllunga të dendura tymi të zi që janë ngritur në ajër dhe po përhapen në drejtim të zonave të banuara të qytetit, duke krijuar një re të madhe dhe ndotjeje mbi Elbasan. Për pasojë një sipërfaqe e madhe e Landfillit është përfshirë nga flakët dhe si rrjedhojë forcat zjarrfikëse të Elbasanit kanë kërkuar ndihmë dhe nga qarqet e tjera.”
Era dhe temperaturat e larta po e përkeqësojnë situatën duke ndihmuar përhapjen e tymit pranë qytetit të Elbasanit.
“Aktualisht zjarrfikësit janë duke punuar me forca të shumta për të bërë të mundur fikjen e kësaj vatre zjarri. Për gati katër kilometra tymi i zi që vjen nga kjo vatër ka shkuar deri në qytetin e Elbasanit. Situata për momentin duket se është në kontroll të zjarrfikëseve të cilët po luftojnë me flakët pavarësisht se era dhe temperaturat e larta po përkeqësojnë situatën.”
Nga informacionet paraprake, gazetari Molla theksoi se përsa i përket shkakut të rënies së zjarrit , mendohet se mund të jetë shkaktuar nga copa xhamash të ndryshëm të cilat kthehen në reflektues për shkak të temperaturave të larta.
Nga ana e saj, Bashkia e qytetit të Elbasanit ka reagur në lidhje me situatën e paraqitur në qytet nga zjarret.
Prej disa orësh, thuhet në njoftim, po përballemi me një situatë të rënduar nga zjarret.
Në pak orë disa vatra zjarri kanë përfshirë ullishten në pjesën veriperëndimore, pyllin me pisha në verilindje, një vatër pranë fshatit Samurr dhe së fundmi po përballemi me një situatë të rëndë zjarri në landfill.
Të gjithë ekipet e zjarrfikëseve të Elbasanit së bashku me mjetet, zjarrfikëset nga i gjithë qarku, emergjencat civile dhe vullnetarë po luftojnë me flakët.
Në pak minuta u vu nën kontroll zjarri në verilindje pranë fshatit Mengël, ndërsa helikopterët e ushtrisë vazhdojnë të punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit në ullishten pranë fshatit Balëz.
Temperaturat mbi 40 gradë sot në Elbasan dhe era e fortë favorizojnë flakët duke vështirësuar punën e ekipeve tona.
Tashmë e gjithë forca është përqendruar për vënien nën kontroll të zjarrit në landfill, ku përveç qarkut po na vijnë në ndihmë edhe ekipet e Tiranës, Kamzës e Beratit.
Bashkia Elbasan u bën thirrje qytetarëve për kujdes. Në temperatura të tilla ekstreme çdo pakujdesi na kushton shumë.
Një pakujdesi e vogël mund të bëhet shkak për zjarr me pasoja të mëdha.
Bashkia Elbasan gjen rastin gjithashtu tu bëj thirrje autoriteteve ligjzbatuese të marrin masa në rastet kur kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme.
/rtsh.al/