E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon etapa e katërt e Rrethit Çiklistik, fiton holandezi Niels Reemeijer

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Ka përfunduar sot etapa e katërt e edicionit të 83-të të Rrethit Çiklistik të Shqipërisë. Me një itinerar prej 148,8 kilometrash dhe me një shpejtësi prej 37 km/orë, gara nisi nga Vlora në drejtim të Tunelit të Llogorasë, Himarës, Qeparoit, Kuçit dhe u rikthye sërish në Vlorë.

Etapa ishte mjaft emocionuese dhe shumë e luftuar nga çiklistët pjesëmarrës.

Kjo ishte edhe etapa më e vështirë e këtij Rrethi, e cila pas një lufte shumë të fortë ndërmjet disa sportistëve, por vijën e finishit e kaloi i pari, pas rreth katër orësh garë, çiklisti holandez Niels Reemeijer i ekipit Groot Amsterdam.

Ai la pas grekun Bourgas, ndërsa vendi i tretë u rendit një tjetër holandez, Schouren.

Pas garës, vetë fituesi u shpreh i kënaqur jo vetëm për triumfin në këtë etapë, por edhe për faktin se tashmë kryeson renditjen e përgjithshme të Rrethit Çiklistik, duke batur kështu edhe fanellën e verdhë të kompeticonit.

Kjo fitore i jep ciklistit holandez edhe kryesimin e klasifikimit të përgjithshëm me kohën 14:05:14.

Fanella e pikëve të fushës, sot kaloi në shpatullat e çiklistit të kombëtares së Greqisë Georgis Bouglas.

Çiklisti i kombëtares turke Ibrahim Halil Dogan është ai që nga sot, do të mbajë veshur fanellën jeshile të pikëve të malit.

Po ashtu, edhe fanella e bardhë, për çiklistin e ri më të mirë, tashmë i përket çiklistit holandez të ekipit Groot Amsterdam, i cili kryeson klasifikimin me kohën e përgjithshme 14:05:41.

Ekipi holandez Groot Amsterdam kryeson klasifikimin e përgjithshëm ekipor me kohën 42:17:07.

Trofeu i fituesit iklistit holandez iu dorëzua nga presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Hanxhaku. I pranishëm ishte edhe ish-çiklisti vlonjat Besmir Banushi.

Të premten (nesër) do të zhvillohet edhe etapa e fundit, me nisje nga Vlora, me vijim drejt rrethrrotullimit të Lushnjës dhe kthim në Fier, ku do të jetë edhe finishi i madh i këtij edicioni.

Këto janë fanellat që mbajnë liderët e katër kategorive të ndryshme gjatë aktivitetit:

Fanella e Verdhë – Lideri i klasifikimit të përgjithshëm

Fanella e Kuqe – Lideri i sprinteve të fushës

Fanella e Bardhë – Lideri i kategorisë U-23

Fanella Jeshile – Lideri i pikëve të malit

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›