E Enjte, 5 Nëntor 2026

Përfundon gjykimi për tërmetin/ Durrës, ish-zyrtarët e akuzuar shpallen të pafajshëm

Përfundon gjykimi për të gjithë personat e akuzuar për dosjen e tërmetit në Durrës, ku humbën jetën 23 persona.

Pas 3 vitesh, gjykata e shkallës së Parë dha pafajësinë për ish zyrtarët e disa prej institucioneve kryesore, të cilët u akuzuan nga prokuroria për shpërdorim detyre.

Ish-drejtori i Aluiznit, Flamuz Gjuzi u lirua përfundimisht nga akuza, së bashku me Artur Çelën, i cili në atë kohë mbante detyrën e drejtorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Durrës.

I pafajshëm u shpall edhe Artur Terziu, i cili u akuzua për ndërtim të paligjshëm. Terziu ishte pronar i lokalit Barons, i ndërtuar në katin e parë të pallatit që u shemb ditën e tërmetit dhe ku mbetën të vdekur dy banorë.

Në lidhje me personat e tjerë, Skerdi Bello ish-punonjës i Aluiznit, u dënua e shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare së bashku me Alfred Qetkan, ndërsa Aldo Dakovelli u dënua me punë në shërbim të komunitetit.

Prokuroria e Durrësit, e cila përfaqësohej nga prokurori Madrid Kullolli, firmosi menjëherë pas tërmetit 18 urdhërarreste për persona që u cilësuan përgjegjës për shembjen e disa ndërtesave, nga të cilët shkuan në gjykim vetëm 16.

Hetimet u kryen për 7 ndërtime, shembja e të cilave më 26 nëntor të vitit 2019 u mori jetën 23 personave ne qytetin bregdetar. Akuzat që u ngritën ishin ‘vrasje nga pakujdesia’, ‘shpërdorim detyre dhe ‘falsifikim dokumentesh’. Por tashmë, shumica e tyre janë liruar pasi akuzat nuk u vërtetuan nga prokuroria.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›