Përfundon numërimi i votave për diasporën, ankesa nga kandidatët për transparencën

Numërimi i votave të diasporës për kandidatët për deputetë ka përfunduar pas 9 ditësh, duke zbuluar emrat paraprakë të 140 deputetëve që do të formojnë Kuvendin në shtator.
Megjithatë, procesi i numërimit të votave preferenciale u shoqërua me kontestime nga mbi 15 kandidatë, kryesisht nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, të cilët kërkuan pamjet filmike të numërimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Mes tyre janë Blerina Gjylameti, Xhemal Qefalia, Etilda Gjonaj, Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja. Kandidatët e PS-së, znj. Gjonaj dhe z. Qefalia, e kanë tërhequr kërkesën e bërë më herët pranë KQZ-së.
Drejtuesi politik i socialistëve për Diasporën, Taulant Balla, reagoi pas përfundimit të numërimit, duke e vlerësuar pjesëmarrjen dhe besimin që votuesit jashtë vendit i dhanë Edi Ramës dhe PS-së.
“Dy në tre votues nga jashtë i kanë dhënë besimin Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Kjo na jep frymëzimin për të punuar më shumë gjatë këtij mandati. Unë jam shumë i sigurt që në vitin 2029 do të jenë më shumë bashkatdhetarë që do të regjistrohen për të marrë pjesë përsëri në zgjedhjet me votuesit nga jashtë,” deklaroi z. Balla.
Në lidhje me debatet mbi transparencën dhe pretendimet për procesin e votimit nga jashtë, z. Balla u shpreh se ankesat janë të ligjshme, por vetëm partitë politike kanë të drejtën për t’i paraqitur ato.
“T’i lëmë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ta bëjë këtë transparencë. Mos harroni që Kodi Zgjedhor përcakton shumë qartë se palët që mund të bëjnë ankimime janë vetëm partitë politike,” tha drejtuesi politik i PS-së për Diasporën.
Më herët kryeministri Rama ndau një video nga takimet me diasporën, duke falënderuar emigrantët për mbështetjen në zgjedhjet e 11 majit. Ai theksoi se kjo fitore është domethënëse jo vetëm për numrat, por edhe për mesazhin e fuqishëm që dha Shqipëria për integrimin në Bashkimin Evropian.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/