Përgatitjet për Panairin e Punës në Athinë, Rama ndan pamje

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama do të jetë nesër në Greqi, ku do të marrë pjesë në panairin e punës “Puno dhe jeto aty ku ke zemrën”, që do të zhvillohet në Athinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë fton bashkatdhetarët tanë në Greqi që të marrin pjesë në panair.
“Athinë – “Puno dhe jeto aty ku ke zemrën” nesër, në Technopolis, Athine (Gazi), Pireos 100, Athiné”, shkruan Rama, teksa ndan pamje nga vendi ku do të mbahet panairi.
Mbi 100 subjekte shqiptare, liderë të investimeve në shumë fusha, do të ofrojnë në këtë panair mundësi punësimi për shqiptarët që jetojnë në Greqi.
Panairi do të hapë dyert nesër nga ora 09-19:00, për t’u ofruar bashkatdhetarëve të diasporës që duan të kthehen dhe punojnë në Atdhe, mundësi punësimi.
Panairi i Punës, i pari i këtij lloji, në Greqi, hap një derë të re komunikimi me diasporën shqiptare për Shqipërinë 2030.
Shumë institucioneve, agjencive e përfaqësive shqiptare do t’u bashkohen dhjetëra biznese e punëofrues nga Shqipëria.
Në Portalin Kombëtar të Punësimit, puna.gov.al, i krijuar për të mbështetur tregun shqiptar të punës, janë tashmë të ofruara 5 500 vende pune në të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Portali ofron informacion mbi vendet e lira të punës në Shqipëri.
Ndërmarrjet hoteliere, industria nxjerrëse, prodhimet artizanale, arsimi dhe formimi profesional, industria ushqimore, administrata publike dhe ndërtimi janë edhe sektorët që kanë më tepër kërkesa për punësim.
1 nga 3/r.e/