E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjigje Ilir Metës, Shefit të K.M.

Le t'i sqarojmë gjërat qysh në fillim. Kjo është një përgjigje për një shkrim gazete, (data 18 Tetor), por assesi nuk i drejtohet shkrimit apo autorit, të cilin, me thënë të vërtetën e "respektoj" shumë për sakrificën që bën. Vërtet, vërtet është goxha guxim të punosh në këto kohëra modërne si "vrasës me pagesë"!


Duket paksa term i fryrë për kësi lloj skizofrenësh batakçinj, por duhet kuptuar se, në fakt, i referohem fenomenit e jo personit në fjalë, sepse, rastësisht, mund të këtë ndodhur që ky i shkreti të ketë qenë, në këtë fundjavë të gjatë, i vetmi "vrasës", roje i gatshëm, në kohën që sivëllezërit e tij, shijojnë pushimet luksoze të pushtetit, - se po të qe ditë javë, pa asnjë dyshim, nuk do t'i harxhonin kot porositësit paratë fringo të pushtetit, për të nënshkruar ky këtë shkrim, kur, falas, mund të shkonin shumë mirë në të edhe emra të tjerë autorësh si Dritan (jo Prifti), Edmond ( jo Haxhinasto), etj, etj.


Gjithsesi, edhe nëse s'do të ishte i tillë, pra me pagesë, le te themi se ia dha mostruri të merrej me mua, kush ka kohë e nerva të dëgjojë apo të lexojë ç'thotë apo shkruan ky, a ç'thuhet e shkruhet për të, a për gjithfarë kotësish që gjallojnë në këtë vend?!


Po pse atëherë vendosa edhe të lë mënjanë inatin prej skraparlliu ndaj firmëtarit të shkrimit, por edhe të përgjigjem, edhe të përbuz shkrimin, por edhe të shkruaj rreth tij, edhe të hesht por edhe të flas?! Duket vërtet si përçartje, por ju siguroj se për mua është e justifikuar. Është e justifikuar, për aq kohë sa kisha vendosur, kokëfortësisht, të evitoja çdo përplasje publike me I.


Metën dhe gjithë shërbëtorët e tij, i bindur se s'do të kishte asnjë kuptim të përsërisja atë çka rëndom kam parë e kam dëgjuar me neveri, në këto vite, në politikë e jo vetëm, nga shqiptarë që paratë, interesat, pronat, femrat, xhelozitë apo urrejtjet i kanë ndezur kundër njeri-tjetrit si bisha që janë te gatshëm të shqyhen (lezeti është publikisht - e kush e merr vesh po u sqaruan gjërat, njerëzisht, larg syve te njerëzve?!).


E pse i thosha vetes, duhet të hyj në këtë rreth vicioz, në një muze të historisë moderne, ku s'mungon asgjë? Pak i ka thënë Pollo - Shefit (Berishës) e anasjelltas për 2 a 3 vjet, pak i ka thënë Meta - Shefit (Nanos) e anasjelltas per 10 a 15 vjet, pak kanë vjellë kundër njëri-tjetrit thuajse të gjithë të tjerët, sigurisht, jo vetëm në politikë!


E pse vlejti e gjitha kjo? Ç'modë e neveritshme! Ky arsyetim më ka fashitur instiktin hakmarrës njerëzor e më ka shërbyer të përmbahem, në të paktën këto tre vitet e fundit, po, po në tre vitet (jo tre muajt) e fundit, që kur u vetëdistancova, pa asnjë keqardhje, nga partia që bashkëthemeluam me I.


Metën dhe shumë të tjerë. Nuk ia vlen aspak, thosha të bëhemi gazi i botës edhe pse dëgjoja çdo ditë se sa i nxehur ishte Shefi i Madh me të gjithë në (behej fjalë për disa), bukëshkalët, se si ulërinte "gjigandi" ndaj "liliputeve" mosmirënjohës, që e kishin lënë vetëm në histerinë e vet Don Kishoteske, megjithëse ai, "Zemërgjeri", nga "sinoret e veta" na kishte falur edhe qeverinë e një vendi të tërë; kur dëgjoja se si do të hakmerrej Shefi kur të bëhej prapë Kryeministër; se si do të plaste në burg të gjithë plangprishësit (për çudi të gjithë socialiste e për çudi, prapë të gjithë ish ministra të kohës së Shefit); se si do të vdisnim për bukën e gojës, kur Shefi të vendostë të na hiqte edhe licencat e avokatit e të na internonte si n/prefekte në Skrapar apo gjetkë.


Marrëzira, thosha me vete. Më keq akoma, që s'janë, as të parat e as të fundit!
Të njëjtën gjë mendoja edhe këto javët apo ditët e fundit, kur mesazhet e tij me përcillnin vazhdimisht tërbimin e Zv.


Kryeministrit të ri, e kur shihja a dëgjoja zëdhënësit paçavure të tij, të garonin për grada në luftën kundër "tradhtarëve" te Shefit. Por ky shkrim ishte kulmi. Nuk mendoja, në fakt, aspak, se lojën e pabesë, të ndyrë e tinzare të degradimit të miqve të vet, te nisur prej tij qysh ditën e parë të pagëzimit në politikë, Shefi do ta vazhdonte edhe me mua.


S'ka arsye thosha me vete. E pse do t'i duhet? Unë thjesht kam bërë zgjedhjen time politike pa share, fyer e pa ja bërë borxh askujt. Vërtet u befasova, e për më tepër, u irritova kur mendoja se sa lumturohej Shefi, si pas çdo kafshimi tinzar (fatkeqësisht për te unë, i di këto gjëra), se si fërkon duart, se si gajaset kur mendon se komplekset e veta, vetëm me pak lekë, mund t'ua bësh dalje të tjerëve, kur mendoja se si këto prita perversësh, Shefi, si gjithmonë, do t'i shiste për trimëri.


E ndaj thashë t'i them dy a tre gjëra këtu, publikisht, se e di që është shumë i shqetësuar (e njoh shumë mire këtë njeri), por jo për mua e as për fotografitë e Edi Ramës, sepse nëse kjo gjë e shqetësonte nuk kishte pse mburrej, pafundësisht, që nga dita e publikimit të tyre se ai ishte i vetëm, në krah të tij, si aleat?! Ai shqetësohet vërtet, por për tjetër fotografi, atë të tijën, në ditën e dasmës me Berishën, e cila ka bërë xhiron e botës.


E shqetëson martesa e fundit, pas divorceve me Nanon e Ramën, që e ka lënë të vetëm, në partinë e tij qesharake, të përçmuar nga të gjitha palët. E shqetëson fundi i sigurt politik, që fatkeqësisht mendon (si përherë) gabimisht, se mund ta shmangë duke baltosur të gjithë ata që e neveritin batakun e lojërave të tij personale e politike. Kjo është e gjitha! Kjo është arsyeja pse Shefi nuk u përmbajt dot, me pas mitingut të Beratit, e prezencës sime në podium.


E në fund, sa për mua, unë nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Nuk jam turpëruar asfare kur, shumë vite më parë, kam deklaruar se në xhep kisha fotografinë e Fatos Nanos, si mijëra socialiste të tjerë, sepse është e vërtetë, por jam turpëruar kur, pas gjithë këtyre viteve, kam kuptuar se kam qene mish për top në "luftën" kundër "padrinos" së dikurshëm, e ortakut të sotëm të Shefit, nuk jam turpëruar e penduar aspak që u riktheva në Partinë time të Socialistëve, por ndihem i poshtëruar se nuk shoh dot asnjë prej tyre ne sy, kur mendoj se në ç'batak urrejtjeje na zhyti Shefi, në këto vite, për t'i dënuar ata të qëndronin sa me gjatë në opozitë.


Për këto jam vërtet i shqetësuar sot, e jo për komplekset e Shefit, nga të cilat nuk e shpëtojnë dot as paratë që paguan e as ata/ato që i paguan.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›