“Përjashtoni Rusinë”, Zelensky thirrje OKB pas sulmit në qendrën tregtare: Kush nga ju nuk pajtohet se ky është terrorizëm?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar përjashtimin e Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Thirrja e Zelensky erdhi pas sulmit me raketa ruse në qendrën tregtare në Ukrainën qendrore.
Sipas CNN, Zelensky e hapi fjalimin duke deklaruar se ndërsa OKB-ja nuk kishte ende një përkufizim ligjor të termit “shtet terrorist”, lufta e Rusisë kundër Ukrainës demonstron urgjencën dhe domosdoshmërinë për ta sanksionuar atë ligjërisht në nivelin e Kombeve të Bashkuara dhe për të ndëshkuar çdo shtet terrorist.
“Karta e OKB-së i jep Këshillit të Sigurimit të OKB-së përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Neni 6 i kapitullit 2 të Kartës së OKB-së thotë qartë se një anëtar i OKB-së i cili ka shkelur vazhdimisht parimet e përfshira në këtë Kartë mund të përjashtohet nga organizata nga Asambleja e Përgjithshme nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Edhe pse Rusia po shkel parimet themelore të OKB-së dhe rendit juridik ndërkombëtar, ajo ende nuk mbahet përgjegjëse në nivel global. Ajo mbetet ende në agjencitë e OKB-së dhe madje gëzon privilegjet e vendit që zë. Vendi i anëtarit të përhershëm të KS të OKB-së, të cilin Rusia e zë vetëm për shkak të dritëshkurtësisë së politikanëve në fund të Luftës së Ftohtë. Rusia nuk ka të drejtë të marrë pjesë në diskutimin e një votimi në lidhje me luftën në Ukrainë, e cila është e paprovokuar dhe thjesht kolonialiste nga ana e Rusisë. Ju bëj thirrje që delegacionit të shtetit terrorist t’i hiqni kompetencat në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kjo është e mundur. Kjo është e nevojshme. Kjo është e drejtë. Rusia nuk ka të drejtë të qëndrojë në KS të OKB-së”, tha Zelensky.
Më tej presidenti pasi përmendi emrat e viktimave të sulmit me raketë në qendrën tregtarë, iu drejtuar anëtarëve të këshillit se cili prej tyre pajtohet me terrorizmin.
“Unë dua që ju të dëgjoni emrat. Kush nga ju nuk pajtohet se ky është terrorizëm? Nëse në ndonjë pjesë tjetër të botës, ndonjë organizatë do të vepronte njësoj si Rusia që po vret ukrainasit, nëse një vend vriste ndonjë popull paqësor, kjo do të njihej patjetër si terrorizëm. Një organizatë e tillë do të bëhej armik për të gjithë njerëzimin. Prandaj ajo që dënohet në nivelin e kriminelëve konkretë dhe organizatave kriminale nuk duhet të kalojë pa kontroll në nivel shtetëror”, tha ai.
/rtsh.al/