Përkeqësohet liria e medias, Rama: Do të ndërmarrim hapa për përmirësimin e mjedisit mediatik

Në renditjen botërore të lirisë së shtypit Shqipëria shënon rënie. Në të dhënën e publikuar nga “Reporterët pa Kufij” për 2023-ën vendi ynë renditet me tre pikë më poshtë se një vit më parë. Ai renditet i 99.
Indeksi botëror për lirinë e shtypit veçon si problematikë të pavarësisë së medias konfliktin e interesit mes biznesit dhe politikës. Po aq kuadri ligjor sipas saj është i mangët dhe se nuk mungojnë rastet e kërcënimit të gazetarëve nga politika dhe krimi.
Shqipëria jo vetëm renditet më poshtë se 2022-i por ajo është e fundit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për lirinë e shtypit.
E dhëna e raportit të “Reporterët pa Kufij” nuk është polemizuar nga kryeministri, përkundrazi deklarohet se qeveria do të angazhohet në mbrojtjen e lirisë së informacionit. Ajo që Edi Rama nuk sqaron në platformën “X” është mënyra sesi do ta bëjë këtë.
“Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet ndaj dua të falënderoj “Reporterët pa Kufij” për raportin e tyre të thellë. Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët e interesuara dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve. Jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim në të gjithë botën. Qeveria shqiptare është e gatshme të ndërmarrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në thyerjen e këtij trendi”, tha Rama.
Dhe një nga “përgjegjësitë” e fundit është ajo e ngritjes së një komisioni të posaçëm parlamentar për dezinfomimin. Nga shumica socialiste është thënë se ai nuk prek lirinë e medias si asaj tradicionale dhe online, por do të të identifikojë dhe parandalojë ndërhyrjen e shteteve armiqësore si Rusia dhe Irani në proceset demokratike të vendit.
Ngritja e tij vetëm një vit para parlamentareve të 2025 deri më tani është kundërshtuar nga “Rithemelimi”. Pas votës kundër në parlament, nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk është propozuar asnjë emër ndërkohë që socialistët i zyrtarizuan të tyrët, ku kryetar i komisonit kundër keqinformimit do të jetë Erion Braçe. /vizionplus.tv