E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përkujtohet 113-vjetori i ngritjes së flamurit të Pavarësisë në Tiranë

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Më 26 nëntor të vitit 1912, në Tiranë u ngrit flamuri kombëtar, dy ditë para ngritjes së flamurit në Vlorë.

Përpara se Ismail Qemali të mbërrinte në Vlorë, Elbasani, Tirana dhe Durrësi ngritën flamurin e Pavarësisë. Në Tiranë, flamuri u ngrit nga patriotët Abdi Toptani, Muhamer Pazari, Ibrahim Agalliu, Shefqet Ndroqi etj., ndërkohë që Tirana rrezikohej nga pushtimi i trupave serbe. Patriotët tiranas ndryshuan rrjedhën e historisë si një shembull i jashtëzakonshëm i qëndresës dhe dëshirës për pavarësi e mëvetësi.

Në Kuvendin e Vlorës, Tirana u përfaqësua nga dy përfaqësues, Abdi Toptani dhe Murat Toptani.

“26 Nëntori mbetet përherë ditë historike për Tiranën e fisnikërisë dhe bujarisë”, shkroi sot, në rrjetet sociale, prefekti i Qarkut Tiranë, Afrim Qëndro, pas homazheve me rastin e kësaj dite të shënuar.

“Nderojmë patriotët dhe veprimtarët që punuan për krijimin e shtetit të parë shqiptar me në krye atin tonë të pavarësisë, Ismail Qemali. Lavdi Abdi Toptanit, Muhamer Pazarit, Ibrahim Agalliut e Shefqet Ndroqit që ngritën flamurin kuqezi në Tiranë”, u shpreh Afrim Qëndro.

1 nga 4

/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›