Përkujtohet 114-vjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Sot shënohet 114-vjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës.
“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”, këto janë fjalët e Shën Nënë Terezës që i kujtojmë në përvjetorin e ditëlindjes së saj.
Me rastin e 114-vjetorit të lindjes së humanistes shqiptare, Nënë Terezës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) i është bashkëngjitur çeljes së edicionit të katërt të manifestimit tradicional, kulturor dhe shkencor “Drita e Gonxhes”, të organizuar nga Instituti për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH). Në këtë ceremoni të zhvilluar në sheshin qendror të Shkupit, ishin të pranishëm kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski, zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, drejtori i ITSHKSH-së, Skënder Asani, i afërmi i Shenjte Terezës, Xhon Antoni, si edhe njohësi i veprimtarisë dhe biografi i saj, Dom Lush Gjergji.
Në punimet e këtij manifestimi, u promovua edhe numri i tretë i revistës “Drita e Gonxhes”, botuar prej ITSHKSH-së. Në përmbyllje të aktivitetit, që përkon edhe me 27-vjetorin e kalimit në amshim të Nënë Terezës, u mbajtën homazhe në pllakën përkujtimore të ngritur në vendbanimin e dikurshëm të nobelistes.
Ndërkaq, sot në orën 19:00, në Auditorium-in e DPA-së do të shfaqet një ekspozitë mbi aktivitetin e Nënë Terezës. Kjo ekspozitë, që vjen si fryt i bashkëpunimit të DPA-së me ITSHKSH-në, shpalos të dhëna me rëndësi arkivore rreth familjes Bojaxhiu, materiale dokumentare dhe fotografike mbi veprimtarinë jetësore të Shenjte Terezës, si edhe tri dorëshkrime të saj të rralla që përmbajnë pasazhe në shqip.
Edicioni i katërt i manifestimit “Drita e Gonxhes” do të mbahet deri më 5 shtator, datë që shënon 7-vjetorin e kanonizimit të Nënë Terezës në kalendarin apostolik.