Përkujtohet Viron Toska

Përkujtohet Viron Toska me një kupë të organizuar të dielën në Vlorë me fëmijet e moshës 8 deri në 10 vjeç. Pikërisht Kupa “Viron Toska” ishte nën mbështetjen e Bashkisë së Vlorës dhe Klubit Shumësportësh Flamurtari. Për nënkryetarin e Bashkisë Vlorë, Klevis Kaso, këto janë aktivitete që transmetojnë mesazhe dashurie tek brezi i ri për sportin. Aq më tepër që Vlora është qyteti europian i sportit për vitin 2024.
“Nuk mund t’i nisnim aktivitetet e basketbollit pa përkujtuar një njeri që kontribuoi pa fund me trofe për këtë qytet siç është Viron Toska”, ka thënë Klevis Kaso.
Elona Hasanaj, shefe e klubit shumësportësh Flamurtari, shpjegon se ky aktivitet është fillim i mbarë për të gjitha moshat për t’i dhënë mbështetje zhvillimit të basketbollit.
“Flasim për një emër të madh siç është profesor Vironi. Unë jam pjesë e plejadës së tij. E kam filluar me profesor Petritin dhe kemi kapur majat tona me profesor Vironin”, ka nënvizuar Hasanaj.
Ndërkohë Sejmen Gjikoli do të shpjegonte se Viron Toska shkruajti historinë e basketbollit në Vlorë, ndërsa numëron në karrierën e tij si trajner 13 tituj kampion, 12 Superkupa të Shqipërisë dhe 11 Kupa të Shqipërisë. Ndaj dhe ishte emri i artë i Flamurtarit në basketboll për femra.