E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtohet masakra e Reçakut, Kurti: Do sjellim para përgjegjësisë autorët

Kosova ka përkujtuar këtë 15 Janar viktimat e masakrës së Reçakut në fshatin Shtimë ku 27 vite më parë, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti,  liderë të partive politike e qytetarë të shumtë u mblodhën në memorialin e viktimave në fshatin Reçak.

“Ne do vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën jo vetëm këtu në Kosovë”, tha Presidentja Osmani.

Kryeministri Kurti u zotua se institucionet e vendit do të punojnë për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e masakrës.

“Jemi këtu bashkë, si krerë të institucioneve, me kryetarë të komunave dhe kolegë nga Qeveria e Parlamenti, por edhe zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë që gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve”, tha Kurti.

Në homazhe mori pjesë edhe ambasadori William Walker, shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë në kohë e luftës, i cili dokumentoi krimet e kryera në këtë fshat.

Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO sulmoi stacionet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Fushata prej 78-ditësh bombardime mori fund në 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›