E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtohet masakra e Reçakut, krerët e shtetit e politikës nderojnë viktimat e 15 janarit 1999

Krerët e shtetit, presidentja Osmani, kryeministri Kurti, krerët e opozitës dhe të tjerë vendosën kurora me lule në kompleksin memorial, ku prehen 45 gra burra e fëmijë të masakruar nga forcat serbe.

Si çdo vit, në Reçak u rikthye edhe shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker  i cili ishte i pari që i tregoi botës për krimet kundër njerëzimit.

Në këtë 26-vjetor diplomati ka nxjerrë edhe librin ku tregohen në detaje ngjarjet e 15 janarit të vitit 1999.

“Çdo vit, mbetem i mahnitur nga numri i njerëzve që vinë këtu nga e gjithë vendi. Dikur ishte kryesisht një ceremoni përkujtimore e organizuar nga Komuna e Shtimes, por tani ka njerëz nga e gjithë Kosova, dhe supozoj se ka edhe nga e gjithë bota”, tha Walker.

Nga akademia përkujtimore për masakrën e Reçakut, presidentja Osmani tha se ngjarjet e 26 viteve më parë tronditën botën.

“Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet vetëm më këtë fshat dhe banorët e tij, por një dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë i cili kërkonte dhe luftonte për liri dhe për të drejtën në ekzistencë”, tha Osmani.

Kryeministri Kurti kërkoi drejtësi për dhe ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve të asaj masakre.

“Krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin, nuk është dashur të ndodhin, ajo që duhet të ndodhë për pasojë është drejtësia, gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve qoftë edhe në mungesë”, tha Kurti.

Masakra e Reçakut ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›