Përmbytje të fuqishme në Kanionin e Madh/ Një i vdekur dhe 15 persona të zhdukur

Një situatë e rëndë është krijuar në Parkun Kombëtar të Kanionit të Madh në Arizona, pas përmbytjeve të fuqishme të 29 gushtit, ku një person ka humbur jetën dhe rreth 15 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Sipas Shërbimit të Parqeve Kombëtare të SHBA-së, përmbytjet përfshinë njerëz dhe mbeturina, të cilat u morën nga rrjedha e ujit drejt lumit Kolorado.
Viktima është një 46-vjeçar, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet për personat që ende nuk dihet se ku ndodhen.
Pas përmbytjeve, 62 persona janë evakuuar nga zona, ndërsa ekipet e emergjencës po përpiqen të largojnë edhe rreth 50 persona të tjerë që kanë mbetur në zonat e prekura.
Deri tani nuk janë raportuar persona të tjerë të lënduar nga përmbytjet.
Autoritetet kanë mbyllur disa nga atraksionet turistike të parkut dhe kanë pezulluar një pjesë të aktiviteteve, ndërsa po vijojnë vlerësimet për dëmet e shkaktuara nga moti ekstrem.
Situata është rënduar edhe për shkak të dëmtimit të tubacionit të ujit, duke sjellë kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm.
Turistëve nuk u lejohet aktualisht të qëndrojnë në zonat e prekura, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve dhe personave të evakuuar që të kursejnë ujin deri në rikthimin e furnizimit normal.
Ekipet e shpëtimit dhe autoritetet lokale po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe hetimet për të përcaktuar përmasat e plota të dëmeve dhe rrethanat e tragjedisë.