Përmbytjet, Prifti-Ramës: Jam gati për një debat publik për transparencë

"Edi Rama zgjidh njeriun më të mirë që ke në stafin tënd dhe të dalë në debat publik dhe t'i tregojmë të gjithë shqiptarëve se kush është e vërteta për pëmbytjet në Shkodër. Kështu i është përgjigjur Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës Dritan Prifti deklaratave të opozitës se ai është përgjegjësi kryesor për përmbytjet në Shkodër.
"Nëse nuk ke guximin mos shpif dhe mos trillo dhe mos akuzo ata njerëz që kanë punuar me përkushtim për të ndihmuar banorët e përmbytur në Shkodër" theksoi Prifti.
Ndërkohë Prifti duke i përgjigjur edhe kërkesës së opozitës për dorëheqjen e tij theksoi se të drejtën ligjore dhe morale për të kërkuar dorëheqjen e tij kanë vetëm dy persona, kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i partisë që ai përfaqëson Ilir Meta.
Ndërkaq ministri Prifti theksoi se situata në kaskadën e Drinit është rikthyer në normalitet. Sipas Priftit niveli i Fierzës ka arritur në kuotat prej 290 metrash, niveli i Komanit në 170 metra dhe ai i Vaut të Dejës në kuotat prej 174 metra.