Përmbytjet, Rama: Situata apokaliptike në gjithë rajonin. Familjet e prekura do të dëmshpërblehen

Kryeministri Edi Rama, në podcastin “Flasim” sot në 11 janar 2026, komentoi një sërë çështjesh të javës, që nga përmbytjet, e deri tek vizita në Paris.
Rama u shpreh se situatë aspak e mirë e motit ka qenë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin. Sipas tij, falë edhe investimeve, qeveria shqiptare është e përgatitur dhe po i bën ballë përmbytjeve në mënyrë të suksesshme. Rama premtoi dëmshpërblim për të prekurit nga moti i keq.
“Dua t’ju uroj të gjithëve, që viti 2026 të jetë viti më i mirë që keni pasur. Java ka qenë me reshje me borë. Përmbytje nuk ka pasur vetëm në Shqipëri, por në mbarë Ballkanin. Në Stamboll, situata ka qenë apokaliptike. Një masë e ftohtë nga arktiku është përplasur me një masë të butë nga Mesdheu, duke bërë që situata atmosferike të jetë problematike. Falë investimeve, ne jemi të përgatitur. Kemi bërë investime në strukturën e Emergjencave Civile, që kanë përherë e më shumë mjete. Jetojmë në një Shqipëri tjetër, sepse kjo vorbull do kishte shkaktuar më shumë përmbytje në kohë tjetër. Edhe faktori njerëzor ka peshën e vet, për mirë apo për keq. Hedhja në kanale e mbetjeve është një skenë, që nuk do i pëlqente askujt. Hedhja e shisheve si bajga e bën me bajga edhe flamurin kombëtar, që duhet të jetë i pastër, në rrugën drejt BE-së. Mos ta përdhosim emrin shqiptar dhe Shqipërinë. Ne do të dalim edhe me masa më të forta. Hedhja e mbetjeve në rrugë është kriminale. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren”, tha Rama.Duke folur për pensionet, Rama premtoi se ato do të vijojnë që të rriten.
“U desh një përmirësim rrënjësor, në mbledhjen e administrimit të të ardhurave, u desh shumë, që në Shqipëri të ketë rritje pensionesh, pa rritur peshën mbi buxhet. Punuam përditë për kthesën që sapo ka nisur dhe më e mira është përpara për gjyshërit e këtij vendi”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë foli edhe për vizitën në Paris, ku mori pjesë në koalicionin e Vullnetmirëve për Ukrainën. Ai tha se në Francë u diskutua në lidhje me një plan paqeje, pas një lufte të përgjakshme.
“Kjo javë nisi me Koalicionin e Vullnetmirëve për Ukrainën, ku u bë bilanc për koordinimin e forcave dhe ndarjen e detyrave mes SHBA-ve, Koalicionit të Vullnetmirëve dhe Ukrainës, që të hapet rruga drejt paqes e kompromisit, për t’i dhënë fund luftës”, deklaroi Rama.
Kohët e fundit, një situatë aspak e favorshme e motit të keq, ka bërë që në vend të ketë përmbytje, nga veriu në jug të vendit.