E Diel, 1 Nëntor 2026

Permbytjet, biznesi i Kosovës ofron 120 mijë euro

TIRANE- Subjektet private kanë nisur dje drejt Shkodrës ndihmat e para konkrete në nevojat më emergjente. Në drejtim të Shkodrës është nisur kamioni i parë me karburant nga “Kastrati”. Kompania “Miell shpk”, me përfaqësues Roland Hysa ka nisur një kamion me miell. “AGNA Group”, me përfaqësues Vasil Naçi ka vënë në dispozicion shumën 2.5 milionë lekë të reja në produkte të kësaj kompanie, kryesisht ujë të pijshëm. “FERLUT”, me përfaqësues Ferdinand Ibrahimin ka dërguar për zonat e përmbytura kamionë me qumësht. Dje, në selinë e shtabit të emergjencave civile shkuan edhe përfaqësuesit e biznesit të Kosovës, të cilët kanë ardhur në Shqipëri për t’u solidarizuar dhe për të dhënë ndihmën e tyre konkrete. Në emër të tyre, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, i cili shoqërohej nga dhjetë sipërmarrës kosovarë, deklaroi kontributin e tyre në vlerë 120 mijë euro. “Kjo është një shumë e cila ka një vlerë simbolike, por me anë të kësaj duam të shprehim solidaritetin tonë të plotë me banorët e këtyre zonave”, - u shpreh Beqaj, duke shtuar se populli i Kosovës është më pranë se kurrë në këto momente dhe se ndihma nga ana e sipërmarrësve kosovarë do të jetë e vazhdueshme, deri në momentin e përmirësimit të plotë të situatës.Njoftohet se edhe Kryqi i Kuq në Kosovë ka vendosur t’u vijë në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet, duke organizuar aksionin e solidaritetit, që do të zgjasë deri më 19 janar. Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare. (s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›