E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përmbytjet në Spanjë, qeveria njofton masat e reja për të prekurit

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi sot miratimin e një pakete të re prej 110 masash për të mbështetur të prekurit nga përmbytjet vdekjeprurëse të 29 tetorit në rajonin e Valencias, me vlerë gati 3.8 miliardë euro.

Qeveria njoftoi javën e kaluar një plan të ndihmës së parë prej 10.6 miliardë eurosh pas katastrofës që vrau të paktën 220 njerëz.

“Qeveria është e pranishme dhe do të jetë e pranishme me të gjitha mjetet e nevojshme dhe për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të rivendosur normalitetin në zonat e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore”, premtoi kreu i qeverisë socialiste në një konferencë për shtyp.

Pedro Sanchez tha sot se masat mbështetëse do të shtrihen në një numër më të madh njerëzish dhe pronash dhe se fermerët do të marrin gjithashtu ndihma të reja prej 200 milionë eurosh.

Sanchez i krahasoi këto masa me ndërhyrjen e qeverisë për të mbështetur ekonominë gjatë pandemisë Covid-19.

Cilat janë masat mbështetëse?

Paketa e ndihmës së parë e shpallur javën e kaluar përfshinte mbështetje për bizneset e vogla dhe të mesme, profesionistët e pavarur dhe familjet që kanë përjetuar vdekje, paaftësi për punë dhe të cilëve u është dëmtuar shtëpia ose prona.

U njoftuan gjithashtu lehtësim taksash, një moratorium tre-mujor mbi pagesat e hipotekave dhe kredive dhe shpenzimet e qeverisë qendrore për projektet masive të pastrimit me të cilat përballen këshillat vendore.

Mijëra ushtarë, policë, xhandarë dhe punonjës të urgjencës po riparojnë infrastrukturën e dëmtuar, po shpërndajnë ndihma dhe po kërkojnë për dhjetëra persona që mbeten të zhdukur.

Zemërimi i përgjithshëm, i shkaktuar nga keqmenaxhimi i supozuar nga autoritetet para dhe pas përmbytjeve, u shndërrua në demonstrata masive ku më e rëndësishmja u zhvillua në Valencia, ku rreth 130,000 njerëz dolën në rrugë.

Shërbimi meteorologjik i Spanjës ka parashikuar reshje të tjera të dendura shiu në rajonin e Valencias këtë javë. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›