Përmirëzim në luftën antikorrupsion, Transparency International: Shqipëria ka përparuar me një pikë

Transparency International ka publikuar këtë të martë raportin për perceptimin dhe gjendjen e korrupsionit në botë. Shqipëria është vlerësuar për vitin 2023 me 37 pikë, 1 më shumë se viti paraardhës, duke u renditur kështu e 98-ta mes 180 vendeve në total.
Në raport thuhet se Shqipëria po shënon përmirësim në drejtim të hetimit dhe ndjekjes penale të korrupsionit në nivel të lartë, duke iu referuar punës së SPAK-ut.
“Por përparimi i mëtejshëm në këtë drejtim varet nga zbatimi i mëtejshëm i legjislacionit të drejtësisë penale dhe sigurimi i mbikëqyrjes efektive ndaj degës ekzekutive”, thuhet në raport.
Transparency International thotë se vendimi për krijimin e një ministrie të re ngarkuar me luftën kundër korrupsionit shoqërohet me pritshmërinë për mekanizma efektivë të integritetit.
“Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet nëse parlamenti nuk ka autonomi më të fortë dhe nëse organizatat e shoqërisë civile dhe mediat nuk mund të kryejnë rolin e tyre mbikëqyrës pa pengesa nga autoritetet”, thuhet më tej.
Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria radhitet më poshtë sesa Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa ka respektivisht një pikë më shumë se Serbia dhe dy më shumë se Bosnja.
Sa i takon Kosovës Transparency International shprehet e shqetësuar për mungesën e vullnetit politik për një gjyqësor të pavarur.
Sipas raportit e gjithë bota po përjeton një rënie në funksionimin e sistemeve të drejtësisë ndërsa Danimarka kryeson indeksin për nivelin më të ulët të korrupsionit për të gjashtin vit radhazi me 90 pikë, pasuar nga Finlanda dhe Zelanda e Re. /vizionplus.tv