E Martë, 3 Nëntor 2026

Përplasi me motor turisten nga Nepali, lihet në ‘arrest shtëpie’ 20-vjeçari në Berat

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 20-vjeçarin Emilio Zema, drejtuesin e motorit i cili aksidentoi tre ditë më parë turistet nga Nepali, shtetasen S.Th, 33-vjeçe.

Masa e sigurisë ndaj 20-vjeçarit është kryer në ambientet e Spitalit Rajonal Berat, ku drejtuesi i motorit është i shtruar dhe nën kujdesin e mjekëve, pas plagëve të marra nga aksidenti.

Sipas hetimeve të policisë dhe prokurorisë 20-vjeçari rezultoi se ishte duke qarkulluar me shpejtësi jashtë normave të lejuara, ndërsa turistja i preu rrugën motorit në përpjekje për të kaluar në anën tjetër të rrugës.

Nisur nga dëmtimet e marra nga të dyja palët, prokurori Eni Culli i ka kërkuar gjykatës vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit të tij për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”.

Pasi ka dëgjuar organin e akuzës si dhe pretendimet e avokatit mbrojtës të 20-vjeçarit, gjyqtarja Lumturi Zhupa, ka vlerësuar “të ligjshëm” arrestimin e shtetasit Emilio Zema dhe ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›