Përplasje mes policisë bashkiake dhe asaj të Shtetit në Tiranë

Tiranë, 14 Mars NOA Përplasje mes Policisë Bashkiake të Tiranës dhe Policisë së Shtetit ndodhi sot në kryeqytet duke përfunduar me fitoren e uniformave blu të cilat urdhëruan zhbllokimin e situatës së ardhur pas një proteste të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Lëvizjes Zgjohu.
Gjithçka ka nisur në orën 10.00 të ditës së sotme në qendër të Tiranës tek ura e Lanës pranë bulevardit Dëshmorët e Kombit.
Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Lëvizja Zgjohu që drejtohen nga avokat Altin Goxhaj kishin paralajmëruar një ditë proteste sot, në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorëve dhe të drejtave të tyre.
Qëllimi i protestës siç u shpreh Goxhaj, ishte shpallja e institucioneve dhe kompanive më problematike të vitit në vendin tonë. Mes tyre denoncoheshin Bashkia e Tiranës, OSSH (Operatori i Sistemit të Shpërndarjes privatizua nga CHEZ e çekëve, ERE, deputetët e PS për mosbotimin e Gjykatës Administrative, Bashkia Durrës, AKEP, Kompanitë e Transportit Publik Tiranë, Ministria e Financave, etj.
Për këtë, dy organizatat sociale kishin vendosur disa tabela me parullat Njollat e Turpit.
Në orën 11.05, punonjësi i Policisë Bashkiake Broka dhe drejtori i Policisë Bashkiake Zyhdi Dajti, dëmtuan tabelat e protestës së planifikuar të zgjaste gjithë ditën në qendër të Tiranës dhe kërcënuan fizikisht drejtuesit e Lëvizjes Zgjohu dhe të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, - bëri të ditur për mediat Altin Goxhaj.
Këto veprime erdhën megjithëse protesta ishte me leje nga Policia e Tiranës vë në dukje Goxhaj.
Në këtë situatë kur punonjësit policorë bashkiakë kërkuan që të hiqen tabelat, për më tepër kur fare pranë tyre një lumë njerëzish po festonin Ditën e Verës me morinë e aktiviteteve të Bashkisë së Tiranës dhe koncerteve të kompanive private, ka ndërhyrë policia e Shtetit. Një numër forcash të policisë së Tiranës janë përballur me ato Bashkiake dhe i kanë përzënë nga zona që ishin vendosur tabelat e protestuesve duke mbyllur kështu këtë kapitull.
Ndërhyrja e paligjshme e Policisë Bashkiake u ndërpre nga ndërhyrja e ligjshme e Policisë së Tiranës që po kujdesej për mbarëvajtjen e aktivitetit, sqaron z.Goxhaj.
Duke komentuar këtë incident, Goxhaj tha se ZMK dhe Lëvizja Zgjohu do të bëjnë një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj Policisë Bashkiake të kryeqytetit.
e.r/NOA