E Martë, 3 Nëntor 2026

Përshkallëzohen luftimet në Gazë, OKB paralajmëron: Rrezikohet kolaps i plotë i rendit publik

Ndërsa luftimet përshkallëzohen në Rripin jugor të Gazës, OKB-ja po paralajmëron për një “kolaps të plotë të rendit publik së shpejti për shkak të kushteve të dëshpëruara”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së theksoi se po bëhet e pamundur shpërndarja e ndihmave humanitare.

Antonio Guterres përdori, për herë të parë që nga marrja e drejtimit të organizatës ndërkombëtare në 2017, Nenin 99 të Kartës së OKB-së, i cili “tërheq vëmendjen” e Këshillit të Sigurimit për një çështje që “mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell mbështeti Guterres në vendimin e tij për të thirrur nenin 99 të Kartës së OKB-së.  

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të veprojë menjëherë për të parandaluar kolapsin e plotë të situatës humanitare në Gaza“, shkroi Borrell.

Duke reaguar, ministri i Jashtëm izraelit e quajti mandatin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara një “rrezik për paqen botërore” .

“Kërkesa e tij për të aktivizuar nenin 99 të Kartës së OKB-së dhe thirrja e tij për një armëpushim në Gaza janë mbështetje për organizatën terroriste Hamas dhe mbështetje për vrasjen e të moshuarve, rrëmbimin e foshnjave dhe përdhunimin e grave”, shkroi ai në X (dikur Tëitter).

Udhëheqësit e vendeve të G7, përfshirë aleatët kryesorë për Izraelin, bënë thirrje dje për veprime “më urgjente” për të trajtuar krizën humanitare në Rripin e Gazës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›