E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshkallëzon në Jemen/ 1,790 familje largohen nga banesat pas bombardimeve

Luftimet në Jemen janë përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit, me mbi 300 persona të vrarë dhe qindra familje të larguara nga banesat për shkak të përleshjeve.

Në jugperëndim të vendit, rebelët Huthi kanë nisur një ofensivë të re, duke synuar avancimin drejt zonave pranë ngushticës së Bab el-Mandab, një nga rrugët detare më të rëndësishme në rajon.

Përplasjet e armatosura kanë detyruar qindra familje të largohen gjatë fundjavës dhe të kërkojnë strehim në kampet për personat e zhvendosur në zonën e Taizit.

Sipas raportimeve, banorë nga zonat e prekura janë larguar me kamionë, duke marrë me vete sendet që kanë mundur të shpëtojnë dhe duke ngritur tenda në zona të hapura. Dëshmitë nga terreni flasin për të shtëna nga disa drejtime dhe mungesë të ndihmës për të plagosurit.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, rreth 1,790 familje janë larguar nga shtëpitë e tyre që prej së premtes për shkak të bombardimeve dhe luftimeve.

OKB-ja ka paralajmëruar gjithashtu për mundësinë e një vale tjetër të madhe zhvendosjesh, pasi një pjesë e familjeve të larguara janë persona që kanë përjetuar zhvendosje edhe më parë.

Vetëm nga pasditja e së shtunës deri në mëngjesin e së dielës, raportohet se janë vrarë më shumë se 140 persona. Dy zyrtarë qeveritarë kanë raportuar 84 pjesëtarë të forcave të tyre të vrarë, ndërsa burime të lidhura me Huthit kanë raportuar 57 luftëtarë të vrarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›