Personazhet e mi janë njerëz që nuk i përshtaten dot realitetit

Romeo Çollaku në panairin e Lajpcigut, pranvere 2012
Anila Shuka
Lajpcig
Në një intervistë, shkrimtari shqiptar që jeton në Athinë flet ndër të tjera për spiritualizmin në Shqipërinë komuniste, iluzionin si strategji e të mbijetuarit dhe heshtjen si forma më e përsosur e të shprehurit.
Romeo, kur ke filluar të shkruash për herë të parë dhe çfarë ishte?
Vargjet e para duhet ti kem shkruar kur kam qenë pak më shumë se dhjetë vjeç. Ishin, mbaj mend, disa vjersha të gjata, me strofa katërshe. Por edhe më parë, qysh në fëmijërinë e hershme, sajoja tregime me figura, sipas modelit të tregimeve që botonin revistat për fëmijë të asaj kohe. Më jepej më shumë të vizatoja, por, me të mësuar shkrim e këndim, i braktisa lapsat dhe ngjyrat.
Çfarë teme kishin vargjet?
Nuk më kujtohet. Dhe, për fat të keq, nuk i kam ruajtur ato fletore. Por duhet të kenë qenë vargëzime shumë të thjeshtë. Mund të them vetëm se, qysh atëherë e deri vonë, nuk shkruaja në fletore me vija, nga ato që përdoreshin në lëndët e gjuhës e leximit letrar, por në fletore katrore, aritmetike. Kam përshtypjen se, që të mund të thellohen, shkrimtarët i vendosin vetes lloj-lloj kufizimesh. Dhe fletoret e aritmetikës, mbase në mënyrë jo krejt të ndërgjegjshme, përbënin njëfarë kufizimi. Më vonë, nuk di sesa si poet, por si lexues i kam kushtuar shumë rëndësi masës dhe saktësisë së një teksti.
Çfarë të shtynte të shkruaje atëherë? A ka pasur ndonjë ndikim të jashtëm? Ndonjë njeri? Apo libër?
Çështja e të shkruarit është disi mistike. Ekziston një tezë, sipas së cilës poeti lind, nuk bëhet. Nuk jam në gjendje ta hedh poshtë. Megjithatë, që dikush të ulet e të shkruajë, duhet të bëhen bashkë njëherësh disa faktorë. Patjetër që shtysën përfundimtare drejt të shkruarit e kam marrë nga leximi i poetëve tanë të traditës. Për shembull, nga leximi i Migjenit. Mund të kisha lexuar edhe poezi autorësh të tjerë, por poeti i parë që më ka shënjuar ka qenë Migjeni. Vetëm shumë vonë, pasi kisha njohur poetët e mëdhenj të romantizmit evropian dhe simbolizmit frëng, arrita të vlerësoja drejt fizionomitë e jashtëzakonshme të De Radës, Mjedës e Poradecit.
Ti jeton në Greqi që nga viti 1998 ku punon në një shtëpi botuese. Çfarë roli ka luajtur mërgimi në formimin tënd letrar?
U vendosa në Greqi në vitin 1998, një vit më vonë në Athinë. Deri asokohe, shumë pak gjëra ishin përkthyer në shqip nga ajo që quajmë letërsi moderne. Në Greqi, pra, gjeta gjithë informacionin, që i duhet një poeti në formim e sipër. Dhe greqishtja, përveç poezisë së vet, arritjet e së cilës njihen gjithandej, ka edhe një traditë shumë të mirë përkthimi. Kjo më ndihmoi së tepërmi dhe nuk ma ha mendja se gaboj duke thënë se bëri që krijimtaria ime të kalonte në një stad tjetër.
Cilët autorë kanë pasur ndikimin më të madh?
Në periudha të ndryshme kanë qenë vepra autorësh të ndryshëm. Në një moshë të caktuar aty rreth të njëzet e pestave që, zakonisht, përbën çast vendimtar për ecurinë e një shkrimtari, dy poetë, të cilët patën ndikim të theksuar tek unë, ishin Seferis dhe Claudel.
Ti kthehemi fletores së aritmetikës. Në cilët katrorë e ka kufizuar veten tani shkrimtari Romeo Çollaku?
Ajo çmë intereson më shumë, është shprehja, përcjellja, sa më e saktë le të themi, e një imazhi apo e një përvoje nëpërmjet instrumentit gjuhësor. Për shembull, rikrijimi, me ndihmën e fjalëve dhe sintaksës, i disa peizazheve që pashë nga dritarja e trenit këto ditë në Gjermani. Ky rikrijim duhet të jetë i tillë që peizazhet ti shikojë e ti ndjejë çdo lexues i regjur i poezisë. Grinë sunduese, pyjet e zhveshur të marsit, ti ndjejë sikur ti ketë parë vetë. Kjo është e vështirë.
Dashuria për përshkrimet plastike dhe për detajet vihet re në veprën tënde si në prozë ashtu edhe në poezi. A është ky një koncept estetik i përzgjedhur me vetëdije apo është një periudhë që mund të ndryshojë?
Jo, nuk ma ha mendja të jetë një fazë kalimtare. Dihet që një poezie, sidomos, a proze nuk i mjafton vetëm forma, i duhen edhe një sërë parametrash të tjerë që të quhet vepër e plotë. Por çdo krijim letrar, më së pari fare, duhet të qëndrojë nga ana artistike. Pastaj, mund të përçojë dhe ide të rëndësishme a të trajtojë tema të mëdha.
Atëherë le të flasim për temat. Njëra më duket se është ajo e fesë ose e besimit…
Po, por më tepër e një tradite fetare, e zakoneve dhe dokeve që mbante gjallë populli i trojeve ku jam rritur dhe më pak ajo e marrëdhënieve të mia të drejtpërdrejta me çquhet hyjnore. Ngaqë, në vitet e fëmijërisë sime, besimi në Zot ishte i ndaluar tek ne, më tërhiqnin gjithmonë vëmendjen ngrehinat hijerënda fetare, ritet që moshat e vjetra, në fshehtësi, i ushtronin ende, fjalori i tyre fetar. Them se më tërhiqnin, ngaqë të gjitha këto përbënin, për ata njerëz, ushqim shpirtëror, por edhe sepse shfaqnin para syve të mi një botë ekzotike, joreale, gati-gati përrallore. Më dukej sikur jetoja një kohë tjetër, të shkuar, që, në të vërtetë, nuk e kisha jetuar kurrë.
Vë re një farë simpatie në përshkrimin tënd. Të ka munguar ky spiritualizëm në Shqipërinë komuniste?
Nga njëra anë, ndoshta, për një fëmijë a të ri me interesa letrare, ishte më mirë që këtë atmosferë, për të cilën folëm, e jetoi ashtu siç e jetoi: si një realitet ilegal, i cili depërtonte tinëz brenda tjetrit, të përgjithshmit, që ishte krejt i ndryshëm.
Në prozën tënde, si në atë të shkurtër, por edhe tek romani Ar e fosfor vihet re një prirje për ndërthurjen e së vërtetës me iluzionin…
Po, më duket vërejtje e saktë. Personazhet e prozave të mia janë, përgjithësisht, njerëz që nuk i përshtaten dot realitetit, ndaj dhe kanë krijuar një botë tjetër, iluziven. Njerëz të dështuar që, shpesh, shoqëria u duket edhe më e egër nga sa është. Dhe nuk gjejnë nga të kapen në të tatëpjetën që i ka rrëmbyer.
Zakonisht, kur mbi një letër/shkruajmë një fjalë të vetme,/përjashtojmë gjithë të tjerat/ Vetëm letra e bardhë/mund ti thotë të gjitha.
Këto vargje nga poezia Në vend të shumëpikëshit (Heshtjen duke gërmuar botimet Princi 2011) përshkruajnë një situatë paradoksale.
Lënda, të cilën shfrytëzoj, mbase ngaqë jam familjarizuar me të, mua vetë nuk më duket paradoksale. Poezia që citove, merr përsipër të flasë mbi vështirësinë e shkrimit të poezisë, tekefundit mbi heshtjen, drejt së cilës të prin synimi për të përsosur shprehjen. Kjo është tema me të cilën, viteve të fundit, jam marrë pothuajse ekskluzivisht. Përveç librit Heshtjen duke gërmuar, jam munduar ta shtjelloj edhe tek një ese mbi Lasgush Poradecin, të cilin ideali i shprehjes absolute e çoi fatalisht drejt heshtjes. Po kështu – që ti paraprij edhe pyetjes klasike, që, shpesh, bëhet në fund të bisedave si jona – këtë temë trajtoj edhe në romanin që jam duke shkruar.
Romeo Çollaku
Është lindur në Sarandë, 1973. Ndoqi studimet për gjuhë-letërsi në Universitetin Eqrem Çabej të Gjirokastrës. Deri më tani ka botuar: Zemër virgjine, Toena 1993, Gjithë diell e natë, Aleph 2003, Kumbaraja e Kohës, Ombra GVG 2004, Heshtjen duke gërmuar Princi 2011, “Ar e fosfor” Botimet Max, 2