E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përzgjedh kompaninë pa shpallur tender

Plot parregullsi ka evidentuar zyra e Auditorit Gjeneral të Kosovës (ZAGJK) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për komunën e Fushë Kosovës për vitin 2012. Sipas raportit të auditorit, Komuna që drejtohet nga Burim Berisha kishte bërë pagesën për operatorin ekonomik “IZHL” në shumën 1,315 euro për “hulumtim të opinionit publik rreth sferave të ndryshme të zhvillimit lokal.

Pagesa ishte bërë nga kategoria mallra dhe shërbime, ndërkaq operatori ekonomik ishte përzgjedhur pa iu nënshtruar proceduarve të prokurimit. “Përzgjedhja e Operatoreve Ekonomik(OE) pa procedura të prokurimit rrezikon që të mos përfillen parimet themelore të prokurimit publik, duke dëmtuar konkurrencën, dhe në këtë mënyrë, të mos fitohet vlera për paranë, shkruan Zëri.

Kryetari i Komunës duhet të sigurojë që të gjithë OE për ofrimin e mallrave dhe shërbimeve të përzgjedhjen në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik”thuhet në raportin e auditorit për këtë komunë. Po ashtu, parregullsi janë gjetur edhe në rastin e servisimin të automjeteve të komunës. Auditori ka testuar 5 pagesa për servisim të automjeteve zyrtare në vlerë 3,068 euro. Por, gjatë testimit e ka vërejtur që disa pagesave u mungonte kërkesa, respektivisht aprovimi për servisim nga personat përgjegjës.

Sipas auditorit mungesa e kërkesave dhe aprovimeve për servisim tregon për mungesë kontrolli gjatë servisimit të automjeteve dhe rrezikon që të paguhen servisime fiktive, që nuk janë kryer fare. Auditori ka konstatuar se kryetari i Komunës duhet t’i forcojë kontrollet për shpenzimet në emër të servisimit të automjeteve dhe furnizimit me derivate, ku të gjitha rastet e servisimeve duhet të shoqërohen me kërkesa për servisim dhe aprovime nga menaxheri. Parregullsi janë gjetur edhe në rastet e furnizimit me derivate për nevoja të komunës.

“Ne kemi testuar pagesa për furnizim me derivate në vlerë 16,093 euro. Furnizimet me derivate ishin për vetura zyrtare, për nxehje dhe për gjenerator. Kemi vërejtur që shumica e pagesave nuk i kishin kuponat gjegjësisht fletë-dërgesat përkatëse”thuhet në raport. Më tej, thuhet se mungesa e fletë-dërgesave dhe kuponëve në rastet e furnizimit me derivate rrezikon që të ekzekutohen pagesa për sasi më të vogël të derivateve të pranuara. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›