E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesë vatra aktive, angazhohen 220 forca dhe dy helikopterë të FA

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00, të ditës së mërkurë janë evidentuar 7 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.

Sipas njoftimit të MM, në terren janë angazhuar rreth 130 forca operacionale vendore, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatrat kryesore aktive janë në Dajt dhe Priskë, Tiranë, Lufaj, Mirditë, Tërbun–Gojan, Pukë dhe Shashicë, Selenicë.

Në Dajt vijon operacioni me 50 efektivë të FA, 15 forca të MZSH dhe 5 forca të AZM, ndërsa në Priskë vijojnë të jenë të pranishme forcat e MZSH. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Lufaj, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët, me angazhimin e Shërbimit Pyjor dhe MZSH, pa rrezik për banesat.

Situata më e ndjeshme paraqitet në Tërbun–Gojan, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit. Forcat operacionale vijojnë punën në terren dhe MZSH është përqendruar në mbrojtjen e banesave. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Gurë-Lurë zjarri është shuar dhe zona mbahet nën monitorim, ndërsa në Qafë Helmes vatra është izoluar dhe vijojnë operacionet me forcat lokale.

Ministria e Mbrojtjse bën të ditur se, strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë angazhimin e koordinuar në të gjitha vatrat, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave dhe izolimin e plotë të zjarreve aktive.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›