Peshëngritësi Antonino Mullisi shpallet kampion Evrope për të rinj dhe vendos dy rekorde kontinentale

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Peshëngritësi shqiptar Antonino Mullisi ka zhvilluar një paraqitje të jashtëzakonshme në Kampionatin Evropian për të Rinj 2026, që po zhvillohet në Kosovë, duke u shpallur kampion Evrope dhe duke vendosur dy rekorde evropiane.
Mullisi triumfoi në stilin e shkëputjes me 135 kilogramë, rezultat që përbën njëkohësisht rekord evropian.
Në stilin e shtytjes, sportisti shqiptar ngriti 156 kilogramë, ndërsa në dygarësh regjistroi 291 kilogramë, duke vendosur një tjetër rekord evropian.
Me këtë paraqitje, Mullisi i dhuroi Shqipërisë tri medalje evropiane, në një nga rezultatet më të spikatura të peshëngritjes shqiptare në këtë aktivitet.
Performanca e sportistit kuqezi vjen si rezultat i punës së tij dhe përgatitjes nën drejtimin e trajnerëve të ekipit kombëtar, Artur Lagja dhe Florenc Çela.
Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka vlerësuar suksesin e Mullisit si një arritje të rëndësishme për sportin shqiptar, duke e cilësuar atë dëshmi të talentit, punës dhe përkushtimit të sportistit.
Suksesi i Antonino Mullisit i shtohet rezultateve të sportistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare, duke konfirmuar potencialin e brezit të ri të peshëngritjes shqiptare.
Peshëngritja shqiptare vijon kështu të jetë një nga disiplinat që i sjell Shqipërisë rezultate dhe medalje në garat më të rëndësishme evropiane.
1 nga 7/gj.m/r.e/