E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkopja lesbike e Stokholmit: Jeta në çift

Liri. Kjo është ndjesia e parë që ndjen sapo vë këmbën në Suedi, vendi i 9.5 milionë banorëve; aty ku duket se mushkëritë janë vërtet të kënaqura nga ajri pafund i pastër e i freskët që sjell deti dhe pyjet; aty ku asnjeri nuk e paragjykon tjetrin për atë që mendon e përfaqëson; lëre më ta diskriminojë. Ky popull duket se e vë theksin jo shumë tek veshjet e objektet firmato, por tek stili personal. Për këto arsye, vërtet të rëndësishme për shëndetin fizik dhe mendor të njeriut, dhe fatkeqësisht ende problematike për shoqërinë shqiptare, unë isha vërtet e lumtur që ndodhesha në Stokholm. Kryeqyteti i vendit të tretë më të madh të Bashkimit Europian, të ngritur mbi 14 ishuj, të lidhur së bashku nga 57 ura.
 
PSE NE STOKHOLM
Në kuadrin e një programi ndërkombëtar për gazetarët, të financuar nga Instituti Suedez, 8 gazetarë, nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Moldavia, Ukraina, Rusia, Vietnami dhe Japonia, u mblodhën së bashku për 5 ditë në Stokholm, për t'u njohur më nga afër me të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe veçanërisht ato të komunitetit Lesbik, Gay, Biseksual dhe Transgjinor (LGBT) në shoqërinë suedeze. Ky program korrespondoi në kohë edhe me zhvillimin e paradës së krenarisë (pride parade). Kjo e fundit, e cilësuar si një nga aktivitetet më të rëndësishme jo vetëm për komunitetin LBGT, por edhe për mbarë shoqërinë suedeze në përgjithësi, mblodhi gjysmë milion spektatorë e turistë të huaj në rrugën "Götgatan", Stokholm, ku parakaluan rreth 50,000 përfaqësues të komunitetit LGBT, por edhe të shoqërisë suedeze, përfshirë ministrin suedez të Financave, si dhe kryetaren e partisë më të madhe opozitare suedeze, atë të Demokracisë Sociale. 

Nëse 40 vite më parë, gay-t dhe lesbiket shikoheshin dhe trajtoheshin si njerëz të sëmurë në Suedi, 40 vite më vonë, ky vend ka në vend një legjislacion të avancuar për këtë shtresë të shoqërisë, që i trajton ata të barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të shoqërisë. Në këtë vend, gay-t dhe lesbiket kanë edhe pozicione të rëndësishme në politikë e shoqëri. Për shembull, zj. Eva Brunne, e cila është lesbike, është zgjedhur në mënyrë demokratike në postin e peshkopes së Stokholmit që tri vite e gjysmë më parë. "Zgjedhja e peshkopëve në Suedi bëhet me anë të sistemit demokratik dhe unë jam e lumtur që jam zgjedhur në këtë mënyrë", - thotë ajo prerë. 

Ajo zbuloi se ishte lesbike në moshën 20-vjeçare. Tashmë ajo është e martuar me një priftëreshë tjetër dhe së bashku kanë një djalë 8 vjeç. Fakti se ajo ka një familje, nuk është problem për Kishën e Suedisë, sepse sipas kësaj të fundit, secili ka të drejtë të ketë një familje. 

SHIFRAT
Më shumë se 10 për qind e popullsisë suedezë është gay/lesbike. Nga martesat midis tyre, rreth 100 fëmijë kanë lindur deri më sot nga mama SURROGATED. Një ndër vendet me ekonominë më të qëndrueshme në botë, Suedia, numëron 6000 të sëmurë me HIV/AIDS dhe gjysma e tyre janë gay/lesbike. 

Z. Christer Wennerholm, zv. kryetar i Bashkisë së Stokholmit, është përgjegjës për transportin publik, por njëkohësisht ai ndërmerr fushata kundër përhapjes së HIV/AIDS-it. "Ne kemi kryer fushata të shumta për të rritur ndërgjegjësimin e grupeve të ndryshme të popullsisë, sidomos komunitetit LGBT, për t'u mbrojtur nga HIV/AIDS-i", - thotë Wennerholm, i cili është shpallur gay që 25 vite më parë. Sipas tij, gay/lesbike nuk kanë fytyra dhe emra. Por ama gjërat kanë ndryshuar në Stokholm. "Mund të thuash që 'Christer është gay'. Por ama, kur thua 'Christer është një gay i mirë', mund të thuhet se këtu ke bërë hapin e parë", - thotë ai, i cili e quan "një mundësi të madhe", faktin e të emëruarit në këtë post.
Sipas tij, Stokholmi është një qytet i hapur, ku njerëzit janë krenarë për atë që janë dhe e tregojnë atë hapur. 

Në të njëjtën linjë, z. Göran Stanton, 56 vjeç, përfaqësues i Organizatës së Policisë Gay, mendon se është më mirë
 të thuash të vërtetën për atë që je sesa të mbash mend se çfarë versioni ke thënë një ditë më parë që të mos dalë gënjeshtra në shesh. Stanton, anëtar edhe i mbrojtësve të të drejtave civile, e filloi këtë shoqatë 13 vite më parë. "Ky lajm doli në faqe të parë. Por pati shumë zëra në atë kohë se 'pse duhet të thuash se je gay, mbaje të fshehur'. Por shpejt u kuptua se njerëzit flasin përditë për orientimin e tyre seksual. Nuk i shpëton dot kësaj gjëje. Prandaj duhesh të nxjerrësh fytyrën e vërtetë", - thotë ai. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›