Pezullimi i dinarit serb, zëdhënësi i DASH: Kurti të marrë seriozisht qëndrimin e SHBA-ve

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Vedant Patel ka deklaruar se është në interes të të gjithë palëve që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të marrë seriozisht qëndrimin e SHBA-ve në lidhje me vendimin e Prishtinës për pezullimin e dinarit serb.
“Ne duam të shohim përparim në zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme në dialog dhe gjithashtu besojmë se kjo është në interesin më të mirë të të gjitha palëve”, tha ai në konferencën për shtyp.
I pyetur se çfarë i jep Departamentit të Shtetit besimin se Kurti do ta marrë seriozisht thirrjen e SHBA-së për Prishtinën që të rishqyrtojë vendimin e Bankës Qendrore për pezullimin e dinarit serb në transaksionet e pagesave, ai shprehu besimin se “angazhimi konstruktiv dhe përpjekjet e sinqerta në mirëbesim të Kosovës dhe Serbia do të sjellë përfitime të qëndrueshme për qytetarët, duke përfshirë rritjen ekonomike dhe do të sigurojë stabilitet afatgjatë rajonal”.
Departamenti i Shtetit i kujtoi kryeministrit Kurti zotimet ligjërisht të detyrueshme të Kosovës. Zëdhënësi i kërkoi Kosovës që të përmbushë zotimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (ASM), duke theksuar se ASM është mekanizmi primar për Serbinë që në mënyrë transparente të ofrojë mbështetje financiare brenda kornizës ligjore të Kosovës.
/rtsh.al/