E Diel, 1 Nëntor 2026

Pjesë e grupit të Ervis Çelës dhe Franc Çopjas, ekstradohet në Shqipëri Soni Pepa, trafikanti i drogës mbërriti në Rinas nën masa të rrepta sigurie

Vetëm pak ditë nga momenti i arrestimit në Republikën Domenikane, Soni Pepa, një nga eksponentët më të rrezikshmë të trafikut ndërkombëtar të drogës, është esktraduar në Shqipëri.

Ka qenë një bashkëpunim i ngushtë mes institucioneve të të dy vendeve që arritën në esktradimin në kohë rekord të 41-vjeçarit, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.

Nën masa të rrepta sigurie me prezencën e RENEAS, ai është pritur në Rinas dhe më pas është transferuar në paraburgim.

Soni Pepa pasi u shpall në kërkim, u arrit që të lokalizohet në Punta Cana të Republikës Domenikane ku jetonte në një vilë luksoze.

Në momentin e prangosjes, autoritetet morën masa të rrepta sigurie. Në këto pamje Pepa shihet i shoqëruar me jelek antiplumb dhe kaskë mbrojtëse në kokë.

Sipas mediave të huaja, në momentin e ndalimit atij iu gjet një pasaportë shqiptare, dokumente italiane, pesë celularë të koduar dhe një shumë parash.

Në dosjen hetimore të SPAK thuhet se Soni Pepa është një nga anëtarët e grupit të Ervis Çelës dhe Franc Çopjas që u godit një muaj më parë.

Ai akuzohet për trafik të narkotikëve, kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe pastrim parash. Në botën e krimit ai njihet me pseudinimet “Zhuu” dhe “Zhurma”.

Hetuesit e posaçëm kanë arritur që të sigurojnë prova të majftueshme në dosjen voluminoze ku janë zbërthyer komunikimet që Pepa kishte me personazhet e tjerë të njohur të botës së krimit për transportin e kokainës.

Referuar kësaj dosjeje, në disa raste ai rezulton duke komunikuar me Ervis Çelën. Ky i fundit i jepte kokainën Soni Pepës, dhe ai i dërgonte paratë në Shqipëri tek i vëllai i Ervisit, Albin Çela.

Në këtë skemë ishte përfshirë dhe vëllai i Sonit, Ditjon Pepa. Janë të paktën 40 episode të dokumentuara për trasportin e parave të drogës, që sipas SPAK arrijnë në afro në 6 milionë euro.

Ky grup kriminal ishte goditur disa herë gjatë tentativave për të trasportuar drogë. Sipas të dhënave në total janë bllokuar 27 ton kokainë, me një vlerë 3.5 miliardë euro, kjo e relizuar në një hark të gjatë kohor në operacione të ndryshme në disa vende të BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›