Plagosi me armë 29-vjeçarin në Krumë, vetëdorëzohet në polici pas negociatave me familjarët

Vetëdorëzohet në Polici autori i dyshuar i plagosjes së një 29-vjeçari, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Krumë të Hasit.
Pas një pune intensive kërkimore dhe negociatave me familjarët, 30-vjeçari me inicialet F. D., banues në Krumë, është paraqitur në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, duke dorëzuar edhe armën e zjarrit me të cilën dyshohet se ka kryer plagosjen.
Ngjarja ndodhi më 8 shtator, në rrugën e quajtur “Kryqëzimi i Spitalit”, ku, pas një konflikti për motive të dobëta, F. D. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur në këmbë shtetasin J. A., 28 vjeç. I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar ishte larguar nga vendi, ndërsa Policia vijoi kërkimet për lokalizimin e tij. Pas negociatave me familjarët, ai është vetëdorëzuar së bashku me pistoletën, e cila dyshohet se është përdorur në plagosje dhe u sekuestrua si provë materiale.
Gjatë kontrolleve në automjet dhe në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi gjithashtu një kallashnikov, një dylbi, një jelek antiplumb dhe municion luftarak.
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në DVP Kukës, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Has, arrestuan F. D. për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Veprimet procedurale vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.