Plagosja e avokatit Kujtim Cakrani, shpallet në kërkim një nga autorët

TIRANË, 9 shkurt /ATSh/ Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë njoftoi sot se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një nga autorët e plagosjes së avokatit Kujtim Cakrani. Sipas policisë në kërkim u shpall S.Xh, 40-vjeç banues në Vlorë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim.
Policia bëri të ditur se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit S. Xh, ndërkohë, që në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Policia njoftoi se avokati Kujtim Cakrani vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi dje, në rrugën Transballkanike, pranë një karburanti, ku gjatë kohës që po furnizonte makinën avokati u përfshi në një konflikt me dy persona.
Konflikti sipas policisë, dyshohet se kishte të bënte me pozicionimin e automjetit në pikën e furnizimit dhe bllokimin e mjeteve të tjera.
Kujtim Cakrani, është edhe mbrojtësi ligjor i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim dhe vijon procesin në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
/m.q/j.p/