Plagosje në Hamallaj, konflikti për një vend parkimi çon në përdorimin e armës së zjarrit

Një shkëmbim fjalësh për një vend parkimi në Hamallaj, Durrës, ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit, duke lënë një person të plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40, ku si pasojë e konfliktit, një 28-vjeçar ka mbetur me plagë nga dy plumba në trup.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, i plagosuri, shtetasi me iniciale L. R., 28 vjeç, është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Autori i dyshuar i ngjarjes, një 44-vjeçar i identifikuar me inicialet A. L., është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Toyota Yaris”.
Forcat e Policisë, sapo kanë marrë njoftimin, kanë shkuar në vendngjarje, e kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Kontrollet janë duke u zhvilluar në zonë dhe në ambiente të ndryshme ku dyshohet se mund të jetë fshehur 44-vjeçari. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/