Planet për çlirimin e zonave të pushtuara nga Rusia, Zelensky mbledh stafin ushtarak dhe të sigurisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar sot (5 tetor) një takim me stafin ushtarak dhe të sigurisë për të shqyrtuar planet për çlirim e mëtejshëm të territoreve ukrainase.
“Të pranishmit dëgjuan informacione nga inteligjenca, selia e Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe komandantët e drejtimeve operacionale për situatën në front dhe veprimet e fundit të armikut. Ata diskutuan edhe çështjen e stabilizimit të situatës në zonat e reja të deokupuara. U konsideruan gjithashtu plane për çlirimin e mëtejshëm të territoreve të Ukrainës”, ka njoftuar zyra e presidentit.
Në mesin e të pranishmëve ishin ministri i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov, komandanti i përgjithshëm Valerii Zaluzhny dhe shefi i Drejtorisë kryesore të inteligjencës Kyrylo Budanov. Më herët Zelensky tha se në rajonin e Khersonit qytetet Liubymivka, Khreshchenivka, Zolota Balka, Biliaiivka, Ukraiinka, Velyka, Mala Oleksandrivka dhe Davydiv Brid ishin çliruar të gjitha. Kherson është një nga katër rajonet në Ukrainë që Rusia ka njoftuar se po anekson, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
/rtsh.al/