Plani i Netanjahut për Gazën, SHBA: Palestinezët duhet të kenë zë përmes Autoritetit të tyre

Plani i paraqitur nga kryeministri Benxhamin Netanjahu (Benjamin Netanyahu) për menaxhimin e pasluftës për Rripin e Gazës nuk është pritur mirë nga SHBA, e cila kërkon që aty duhet të vendosë një Autoritet Palestinez.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Xhon Kirbi (John Kirby) tha se administrata Biden ka qenë vazhdimisht e qartë me Izraelin për atë që do të dëshironte të shihte në enklavën palestineze pas luftës.
Kirbi tha se “populli palestinez duhet të ketë një zë dhe një votë nëpërmjet një Autoriteti Palestinez të rigjallëruar”.
“Uashingtoni ka qenë vazhdimisht i qartë me homologët tanë izraelitë për atë që ishte e nevojshme. SHBA nuk beson në zvogëlimin e madhësisë së Gazës, ne nuk duam të shohim ndonjë zhvendosje të dhunshme të palestinezëve jashtë Gazës dhe natyrisht, ne nuk duam ta shohim Gazën të dominuar, të sunduar apo të qeverisur nga Hamasi”, tha Kirbi.
SHBA-ja ka bërë presion për një autoritet të reformuar për të marrë përsipër qeverisjen e Gazës një ditë pas luftës, të cilën Izraeli nën udhëheqjen e Netanjahut e ka refuzuar plotësisht.
Një ditë më parë kryeministri izraelit Netanjahu zbuloi një plan për të ardhmen e Gazës pas shkatërrimit të Hamasit, i cili përfshin “çmilitarizimin e plotë” të enklavës, mbylljen e kufirit jugor të territorit me Egjiptin , si dhe riparimin e administratës civile dhe sistemeve arsimore të Gazës.
Plani pohon atë që Netanjahu ka thënë më parë, se “Izraeli do të ketë kontroll të sigurisë mbi të gjithë zonën në perëndim të Jordanisë”, e cila përfshin të gjithë Bregun Perëndimor dhe Izraelin, si dhe Gazën.
/rtsh.al/