Plani i paqes për Gazën-Këshilli i Sigurimit pritet të votojë të hënën rezolutën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të votojë të hënën më 17 nëntor, rezolutën për planin e paqes së presidentit të SHBA-së, Donald Trump mbi Gazën.
Java e kaluar, amerikanët nisën zyrtarisht negociatat brenda Këshillit mbi armëpushimin në luftën dyvjeçare midis Izraelit dhe Hamas-it dhe për të miratuar planin e Trump-it.
Sipas draftit të rezolutës, parashikohet “krijimin e Bordit të Paqes”, një organ qeverisës tranzitor për Gazën — që Trump do të kryesonte teorikisht — me një mandat deri në fund të vitit 2027.
Rezoluta autorizon shtetet anëtare të formojnë një “Forcë të Përkohshme të Stabilizimit Ndërkombëtar (ISF)” që do të punonte me Izraelin, Egjiptin dhe policinë palestineze të re trajnuar për të siguruar zonat kufitare dhe për të demilitarizuar Rripin e Gazës.
Ndryshe nga draftet e mëparshme, versioni i fundit përmend një shtet palestinez të mundshëm në të ardhmen.
SHBA-ja dhe disa vende arabe dhe me shumicë myslimane, përfshirë Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Turqinë, kanë kërkuar që Këshilli i Sigurimit të miratojë shpejt rezolutën. Të premten, ata lëshuan një deklaratë të përbashkët duke theksuar nevojën për adoptim të shpejtë.
Misioni i SHBA-së në OKB e ka quajtur armëpushimin “të brishtë” dhe ka paralajmëruar të premten për rreziqet e mosadoptimit të draftit.
“Çdo refuzim për të mbështetur këtë rezolutë është një votë ose për sundimin e vazhdueshëm të terroristëve të Hamas-it ose për kthimin në luftë me Izraelin, duke dënuar rajonin dhe popullin e tij në konflikt të përjetshëm”, shkroi ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, në “The Washington Post”.
/rtsh.al/