Platforma e re e dialogut, mekanizëm midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të BE

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Komisioni Evropian ka hapur thirrjen për organizatat e shoqërisë civile që dëshirojnë të bëhen pjesë e Platformës së re të Shoqërisë Civile, një mekanizëm i përhershëm dialogu ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të Bashkimit Evropian.
Sipas delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, platforma synon të krijojë një forum për shkëmbimin e ideve dhe përvojave, diskutimin e sfidave me të cilat përballet shoqëria civile, monitorimin e zbatimit të Strategjisë së BE-së për Shoqërinë Civile, si dhe dhënien e kontributit në hartimin e politikave të ardhshme të Bashkimit Evropian.
Platforma është e hapur edhe për organizatat nga vendet e procesit të zgjerimit të BE-së. Dy vende janë rezervuar posaçërisht për organizatat që veprojnë në vendet kandidate dhe vendet kandidate potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përfshirë Shqipërinë.
Afati i fundit për paraqitjen e aplikimeve është 3 gusht 2026.
Komisioni Evropian fton organizatat e interesuara të informohen mbi kriteret dhe procedurat e aplikimit përmes faqes zyrtare të institucionit.
/gj.m/j.p/