Platini, i hidhur: Jo tani Kosovës në UEFA!Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini u tregua i ashpër dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me mundësinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në UEFA dhe FIFA

Të gjithë besonim se “hokatari” Mishel Platini, një mik i vjetër i Shqipërisë, të paktën e ka prekur tokën e saj pesë herë që nga viti 1992 , do të ishte më “trendi” se presidenti i FIFA-s, Jozef Blater në lidhje me Kosovën. Por, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini u tregua i ashpër dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me mundësinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në UEFA dhe FIFA. Dhe këtë deklaratë nuk e bëri nga selia zyrtare e UEFA-s në Nion të Zvicrës, por në Tiranë, gjatë vizitës së parë të një presidenti të qeverisë europiane të Futbollit në Shqipëri. Platini: “Unë u kam bërë të qartë disa herë dhe drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës. Statuti i UEFA-s është shumë i qartë. Për të qenë anëtari i UEFA-s duhet të jesh më parë anëtar i Kombeve të Bashkuara”.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve u shfaq me një pamje triumfuesi në konferencën për shtyp, madje edhe pse të gjithë prisnin me padurim deklarimet e Presidentit të UEFA-s, ministri si mikpritës u duk si violina e parë.
“Axhenda e zotit Platini është shumë e ngjeshur, por për të respektuar ju (mediat), ai pranoi të jepte një konference të përbashkët shtypi, por jo më shumë se pesë minuta”, - tha Pango.
“Po bëj shumë shkurt një ekspoze të bisedimeve. Kemi folur kryesisht për projektet e UEFA-s për të ndihmuar sportin shqiptar. Është një projekt për të shtuar orët e mësimit në fushën e edukimit fizik dhe në veçanti të futbollit. Për ta hapur më gjerësisht atë. Është një projekt për 12 fusha futbolli, të cilat do të financohen nga UEFA, duke i kaluar këto fonde përmes Federatës Shqiptare të Futbollit. Kemi folur edhe për ide të tjera interesante.”, - dha të tjera detaje ministri pas bisedës gati 30 minutëshe me njëshin e futbollit evropian.
Kosova ishte një tjetër temë e bisedës Pango-Platini. Ministri: “Me zotin Duka (presidentin e FSHF-së), kemi sugjeruar edhe një herë që Federata e Futbollit e Kosovës, nëse është e mundur të rishikohet edhe një herë tjetër, nëse mund të bëhet pjesë e familjes së madhe ndërkombëtare të futbollit. Kuptohet, që kjo ka dhe vështirësitë e veta, pasi ekziston një nen (në statutin e UEFA-s), sipas të cilit duhet të jesh anëtar i Kombeve të Bashkuara. Gjithsesi, ne e quajtëm këtë një hap të dytë apo të tretë në rrugën drejt bindjes, apo me saktë drejt një marrëveshjeje”.
Ish-kapiteni i Francës, Mishel Platini, e nisi fjalën e tij me falënderimet ndaj pritjes së ministrit Pango dhe presidentin e FSHF-së, Duka, për pritjen e ngrohtë që i rezervuan atij personalisht dhe delegacionit të UEFA-s në Shqipëri.
“Nuk është hera e parë që unë vij në Shqipëri, por është hera e parë që unë vij si president i UEFA-s”, - tha ish-trajneri i “gjelave”, që me kombëtaren franceze fitoi 1-0 në “Qemal Stafa”, më 17 nëntor 1990 për Kampionatit Europian 1992.
“Me Armando (Dukën) dhe ministrin e sporteve (Pango) ne analizuam të gjithë situatën e futbollit në Shqipëri. Dua të saktësoj një gjë, se unë nuk kam ardhur në Shqipëri, që të ndikoj me rolin tim që Shqipëria të fitojë”, - dhuroi batutën e zakonshme bosi i UEFA-s. “ Roli im është që të ndihmoj në formimin e brezat e rinj të futbollistëve, dhe këtë duhet ta bëj me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe ministrinë, që besoj se e kuptoi se çfarë do të bëjmë ne me futbollin në Shqipëri”.
Ish mesfushori i Juventusit në lidhje me nenin e famshëm 53 të statutit të FSHF-së, nen që prodhoi edhe pezullimin e përkohshëm të Shqipërisë nga FIFA e UEFA. “Una domanda? Io capisco (Një pyetje, unë kuptoj)”, - tha Platini, duke qeshur. “A është diskutuar në lidhje me nenin 53, kur nesër (të mërkurën ) është edhe Asambleja e Përgjithshme e Federatës?”.
Platini ngriti supet edhe pse ia përkthyen frëngjisht pyetjen. “Nuk u diskutua fare ai nen, dhe për këtë përgjigje do të jap unë”, - tha ministri Pango.
“Është një nen, për të cilin ekipet, po i quaj teknike, janë marrë vesh. Është rektifikuar neni në lidhje me përcaktimin “pa kufizim në kohë, hapësirë e tij,”. Do të kalojë siç kemi rënë dakord, por do të bëjmë edhe disa rregullime të tjera. Kjo është në diskutim në nivel specialistësh”.
Platini u pyet drejtpërdrejt në lidhje me të ardhmen e Kosovës në familjen evropiane dhe qëndrimin e tij ndaj Kosovës apo rreth mundësisë së takimit të drejtuesve të tyre, në funksionin e tij si president i UEFA-s.
Platini: “Unë u kam bërë të qartë disa herë dhe drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës. Statuti i UEFA-s është shumë i qartë. Për të qenë anëtari i UEFA-s duhet të jesh më parë anëtar i Kombeve të Bashkuara”.
Në lidhje me lejimin e Kosovës për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, Platini u përgjigj në mënyrë diplomatike. “Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s e hodhi poshtë kërkesën”. Ministri Pango bëri një tjetër ndërhyrje në lidhje me trajtimin e Kosovës, duke bërë edhe një paralelizëm më mënyrën sesi u arrit Pavarësia e shtetit më të ri në botë.
“Nëse fillojmë të trajtojmë diçka, është më mirë sesa ta lësh paprekur. Ashtu sikundër si dhe problemi i Pavarësisë u fillua gradualisht për të arritur atë. Le të themi se sot filluam diçka. Unë nuk e mendoj se kjo është pa gjë. Ne mendojmë se do të arrijmë diçka pozitive”.
Së fundi edhe përgjigja “vrasëse” e Platinisë: “Gjithkush mund të ketë idetë e tij, por ne respektojmë statutin. Ky është vendimi i UEFA-s”.
Një përgjigje që nuk të frymëzon të tjera pyetje. Pësëminutëshi i Platinisë mbyllet me “xhonglimet” e ish-numrit “10” të Francës. “Si! Nuk ka më pyetje? Vërtet”,- tha Mishel, duke e bërë këtë pyetje në italisht, frëngjisht e anglisht. “Hajd mirupafshim”.
Platini në Tiranë
Avioni që solli Mishel Platininë mbërriti me vonesë në Shqipëri, duke prishur pak edhe protokollin e takimeve, por një telefonatë mirëkuptimi me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ylli Pango, e shtyhu për gati 25 minuta takimin e programuar. Dhjetë televizione e një dyzinë gazetarësh sportivë e pritën me padurim të shihnin nga afër jo Zlatan Ibrahimoviçin e Suedisë a as Ronaldijon e Milanit, por një tjetër simbol të futbollit botëror, bosin e UEFA-s, i cili mbërriti në selinë e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve në kujdesin e rreptë të pesë badigardëve dhe të presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ( veshur me kostumin zyrtar me stemë të FSHF-së), zëvendëspresidentëve Bujar Kasmi e Lutfi Nuri, si dhe sekretarit të përgjithshëm Arben Bici.
Në oborrin e MTKRS-së, Platini u prit nga drejtoresha e Sporteve, Violeta Shqevi, e cila e shoqëroi në katin e tretë drejt zyrës luksoze të ministrit Pango.
“Po këtu çfarë gjuhe do të flasim”, -tha Platini, teksa përballë Pangos gjigant, dukej si të ishte para gjermanit Horst Hrubesh. “Si të doni ju, frëngjisht, anglisht”, - iu përgjigj ministri poliglot. “Paska shumë ‘press’, - tha i habitur Platini, i rrethuar nga një kordon i jashtëzakonshëm njerëz të medias.
Presidenti i UEFA-s, ashtu si në ritin e çdo protokolli zyrtar i dhuroi flamurin trekëndësh të UEFA-s, duke shtrënguar gjatë duart me Pangon. “On va faire imortalise ce moment” (Le ta bëjmë të pavdekshme këtë moment)”, - tha Platini, duke i shtrënguar fort duart me ministrin. Pango sigurisht ka dhuratën e tij. “Pranoni dhe pak Shqipëri”. Një çantë ku brenda saj ka një komplet guidash turistike të Shqipërisë. “Kur të keni mbaruar punë me pamjet na thoni”, - i drejtohet ministri të “tepërtve”.
Media e di që ka ardhur koha të largohet. Pas 30 minutash sërish pranë Platinisë në konferencë shtypi, për ta ndjekur atë në Durrës në inaugurimin e fushës së stadiumit “Niko Dovana” (ora 14:00), e për ta mbyllur me takimin me Presidentin e Republikës, Bamir Topi (ora 18:00)
Kush është Mishel Platini
Kush është Platini 52-vjeçari Mishel Platini është një nga legjendat e futbollit francez dhe një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror. Francezi ka marrë pjesë në Kupën e Botës së vitit 1978, 1982 dhe 1986 duke qenë gjysmëfinalist në dy të fundit me përfaqësuesen e vendit të tij. Platini është i njohur për goditjet e tij të lira, cilësi që e tregoi me Francën dhe Juventusin ku luajti për 5 sezone. Platini ka fituar tri herë “Topin e Artë” në vitin 1983, 1984 dhe 1985. Me kombëtaren franceze Platini ka zhvilluar 72 ndeshje duke shënuar 41 gola. Platini ka qenë trajneri i Kombëtares së Francës. Aktualisht Platini është president i UEFA-s dhe zëvendëspresident i FIFA-s.
E Marte, 11 Nentor 2008