E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Plazh i lirë”, sekuestrohen 300 çadra dhe 480 shezlongë në Krorëz, mbyllen 12 lokale

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Në kuadër të planit operacional policor të koduar “Plazh i lirë”, Komisariati i Policisë Himarë ka vijuar kontrollet në vijën bregdetare me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe.

Si rezultat i këtij aksioni u lirua hapësira në vijën bregdetare të plazhit “Krorëz”, ku u proceduan penalisht 12 shtetas, të cilët zaptuan hapësirën publike duke ndërtuar pa leje 12 objekte të përshtatura si lokale.

Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Himarë, kanë konstatuar në hapësirën e zaptuar, në mënyrë të paligjshme nga këta shtetas, 12 struktura druri të ndërtuara pa leje, si dhe 300 çadra dhe 480 shezlongë të vendosura, të cilat janë hequr, duke liruar hapësirën publike në plazhin “Krorëz”.

Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se në këto subjekte me fushë veprimtarie lokale plazhi, ofroheshin shërbime dhe produkte pa lëshuar kupona tatimorë.

Policia njofton se operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i Lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë. /m.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›