“Plazhe të Pastra”, Kumbaro: Nuk ia dalim dot pa ndihmën e qytetarëve dhe bizneseve

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Në Vlorë prej katër ditësh po zhvillohet një aksion i madh pastrimi në gjithë qytetin dhe sigurisht në zonën bregdetare.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro teksa ndau një video nga inspektimi në terren i kryetarit të bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, i bëri apel sot bizneseve dhe qytetarëve të mbajnë pastër ambientin dhe t’i hedhin mbetjet në koshat e vendosur.
“Mund të punojë gjithë ditën e tërë natën bashkia së bashku me forcat e shtuara të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, siç edhe po ndodh prej 15 qershorit, por s’ia dalim dot nëse nuk kemi në krah çdo qytetar që mbetjet nuk i hedh kuturu, por në koshin përkatës dhe çdo biznes, që mbetjet nuk i hedh në koshat e vegjël dedikuar banorëve e pushuesve duke i tejmbushur, por i menaxhon dhe i nxjerr me orar”, theksoi Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
Kryebashkiaku Dredha tha se “po kryejmë pastrimin e zonës nga Kalaja deri në Orikum. Kemi angazhuar jo vetëm Drejtorinë e Shërbimeve Publike, që është gjithë kohës në terren, por edhe kompanitë që mbulojnë këtë territor”.
“Duam të ndërgjegjësojmë të gjithë komunitetin që të jenë më të vëmendshëm, të mos abuzojnë në hedhjen e plehrave ku të munden”, tha Dredha.
Ne, shtoi kryebashkiaku, jemi në krye të punës, por edhe komuniteti duhet të ndërgjegjësohet.
Operacioni “Plazhe të Pastra” për pastrimin e bregdetit ka nisur në të gjitha bashkitë bregdetare Himarë, Vlorë, Sarandë, Rrogozhinë, Kavajë, Durrës e Shkodër.
Përmes këtij operacioni, Agjencia Kombëtare e Bregdetit u bashkohet ekipeve të bashkisë me pajisje shtesë pastrimi dhe burime njerëzore duke dyfishuar kapacitetet përgjatë vijës bregdetare të këtyre bashkive.
/k.s/r.e/